FOTO KALLXO: Gjykimi i Adem Musliut në Gjykatën e Gjakovës

Gjykata dënoi për marrje ryshfeti ish-drejtori i shkollës

Gjykata e Gjakovës ka shpallur aktgjykimin në rastin e të akuzuarit për marrje të ryshfetit. Për këtë vepër penale akuzohej Adem Musliu, ish-drejtor i shkollës “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë.

I akuzuari u shpall fajtor dhe u dënua me gjobë në shumën prej 2000 euro, të cilën shumën mund ta paguaj në dy këste, si dhe dënim me kusht prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se nuk kryen vepër penale prej 2 vitesh. Gjykata po ashtu ka obliguar të dënuarin që t`ia paguaj shumën prej 400 euro të dëmtuarit Mentor Quni në afat prej 1 muaji.

I akuzuari obligohet edhe me shpenzimet procedurale prej 100 euro.

I njëjti ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat që i ngarkoheshin nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Prokurori Ali Uka në fjalën e tij përfundimtare kishte deklaruar se heq dorë nga ndjekja penale për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, mirëpo mbetet pranë aktakuzës për marrje të ryshfetit.

I dëmtuari Mentor Quni në seancën e kaluar kishte deklaruar: “Se nuk kërkoj që i akuzuari të dënohet për shkak të moshës që e ka, mirëpo kërkoj vetëm kompensimin e dëmit në shumën prej 400 euro, të cilën shumë edhe e kam paguar”.

Ndërsa avokati i të akuzuarit Isa Osdautaj, kishte theksuar se aktakuza është e sajuar, e paargumentuar dhe se e njëjta rrjedh si pasojë e bindjeve politike.

Sipas aktakuzës, Adem Musliu pretendohet se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit, ashtu që në emër të diplomës së lëshuar për të dëmtuarin Mentor Quni, se kinse ka kryer vitin e IV të shkollës së mesme, merr 400 euro ryshfet.