Gjykata cakton një muaj paraburgim për të dyshuarin për masakrën në Burgun e Dubravës

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për G.M., i arrestuar sot si i dyshuar për krime lufte të kryera në masakrën e vitit 1999 në Burgun e Dubravës.

Prokuroria Speciale e Kosovës njofton se në kuadër të hetimit për vrasjet dhe keqtrajtimet e të burgosurve në Burgun e Dubravës, gjatë luftës në Kosovë, ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimit kundër të pandehurit G.M.

“Prokuroria Speciale njofton se në kuadër të hetimit për vrasjet dhe keqtrajtimet e të burgosurve në Burgun e Dubravës, gjatë luftës në Kosovë, ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimit kundër të pandehurit G.M. për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka keqtrajtuar fizikisht të burgosurit e atij burgu si dhe ka marrë pjesë në vrasjen e një numri të madh të të burgosurve gjatë muajit maj të vitit 1999”- thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale njofton se pas kërkesës së saj gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin G.M.

Arrestohet një i dyshuar për Krime lufte në Burgun e Dubravës