(Arkiv) Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt - FOTO-KALLXO.com

Gjykata cakton datën për seancën e rradhës në rastin e Agonis Tetajt

Gjykata e Pejës sot ka marrë vendim që të rihap shqyrtimin në çështjen e vrasjes së Agonis Tetajt.

Në këtë seancë gjyqësore trupi gjykues deklaroi se me datën 18 mars 2021, gjykata kishte pranuar një kërkesë nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan, përkatësisht kryeprokurori Arben Kadriu.

Përmes kësaj kërkese i njëjti kishte kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore në kohë të pa caktuar, si dhe rihapjen e këtij shqyrtimi gjyqësor, me pretendimin që edhe një herë të shqyrtohen provat dhe të paraqiten edhe prova të reja.

Kurse gjykata po ashtu ka obliguar Prokurorinë e çështjes, si dhe palët në procedurë që deri më datë 7 prill 2021 të sjellin prova të reja.

Seanca e rradhës lidhur me këtë rast do të mbahet më 21 prill.

Ky rast ka marrë vëmendjen e opinionit publik pas publikimit të videos së momentin të vrasjes së të ndjerit Agonis Tetajt.

Isuf Tetaj, babai i tani të ndjerit Agonis Tetaj, përmes një emaili ka alarmuar opinionin publik lidhur me dyshimet e tij se prokurori i cili përfaqëson akuzën në rastin për vrasjen e djalit të tij, Agonis Tetaj – prokurori Agron Uka ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “vrasja e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Letra e Isuf Tetaj ishte drejtuar për mediat, shoqërinë civile, ambasadat e huaja në vend dhe bashkangjitur ka edhe videon e momentit të vrasjes së djalit të tij.

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka marrë lëndën e vrasjes së Tetajt nga prokurori Agron Uka për t’ia ndarë dikujt tjetër si dhe ka kërkuar nga gjykata që rasti të rihapet.

Prokurori i këtij rasti Agron Uka si dhe  Besnik Berisha avokati mbrojtës i të akuzuarit në këtë rast, Shaban Gogajt u përfshinë në një situatë kontraverse ditëve të fundit, pasi u dëshmua me fotografi që të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan.

Këto dëshmi dolën në sipërfaqe pasi prokurori Uka kishte vendosur që në ditën e fundit të gjykimit ta ndryshonte veprën e të akuzuarit Gogaj nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia. Kjo shkaktoi reagime të mëdha, sidomos nga familja e të ndjerit, Agonis Tetaj të cilët shpërndanë videon nga kamerat e sigurisë që kishin kapur momentin e vrasjes së Agonis Tetajt. Përmes videos, familja pretendon se vrasja nuk ka qenë aksidentale siç pretendon prokurori.

Rihapet rasti lidhur me vrasjen e Agonis Tetajt