Gjykata cakton datën e seancës fillestare ndaj Naim Murselit dhe tre të akuzuarve të tjerë

Më 27.01.2025 është caktuar data e nisjes së gjykimit për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ndaj të akuzuarve Naim Murseli, Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tomë Dodaj.

Kjo konsiderohet seanca e parë për këtë gjykim, në të cilin parashihet që të bëhet leximi i Aktakuzës dhe deklarimi se a ndjehen apo jo fajtor të akuzuarit, për veprat që rëndojnë mbi ta.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve N. M., G. P., K. K. dhe T. D. është caktuar të mbahet më 27 janar 2025.” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës.

Katër persona tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt – ngjarje kjo e regjistruar, më 29.11.2023.

Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe – sipas Prokurorisë – dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

“E kishte mbajtur për krahu, në mënyrë që të mos iu shmangte plumbit.” – kështu e përshkruan ngjarjen prokurorja e rastit të vrasjes së Liridona Ademajt, derisa tregon veprimet e Naim Murselit, ish-bashkëshortit të viktimës, në natën kritike kur u krye krimi në një fshat të Prishtinës.

Prokurorja e rastit, Javorka Prlinçeviq ka përshkruar se Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve – siç përshkruhet edhe në Aktakuzë – kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij.

Gjithmonë sipas Aktakuzës, pas datës 25.06.2022, kur ishte paguar një polisë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitojë dobi financiare.

Këtë plan Dosja e përshkruan se Naim Murseli e ndau me familjarin e tij Kushtrim Kokallën dhe se ky i fundit kishte refuzuar që të kryejë vrasjen, por tutje ka gjetur personin e tretë, Granit Plavën me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin.

Gjithmonë sipas Dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën blejnë një armë të tipit “Zastava” me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë 280 euro.

E në të njëjtën ditë, Dosja shpjegon se në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në vendin me të cilin paraprakisht ishte dakorduar Naim Murseli me Granit Plavën – plan të dakorduar të cilin e kanë inskenuar që të duket si grabitje e armatosur – është kryer edhe vrasja.

Në Dosje shkruhet se Naim Murseli e kishte lajmëruar fillimisht Granit Plavën me drita të veturës. Më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shpëtojë plumbit, pasi u shkrep nga Plava. E, që tutje Naimi ka dalë nga vetura me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të gjitha këto veprime që ka kryer Naim Murseli, Prokuroria e ka ngarkuar atë me veprën penale: ‘vrasje e rëndë’.

I pandehuri i dytë është Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë në ditën kritike në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake që kishte bërë me Naim Muselin, Dosja përshkruan se kreu vrasjen në formë të maskuar, kishte shtënë në drejtim të viktimës, e cila për pasojë edhe ka vdekur. E për të gjithë këtë rast, Plava do të kompensohej me një shumë prej 30 mijë eurosh.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, Plava ishte afruar drejtpërdrejt me viktimën dhe të njëjtën e ka qëlluar me armë, derisa krahun viktimës po ia mbante ish-bashkëshorti i saj, që të mos i shmangej plumbit.

Arma që ishte përdorur në rast ishte gjetur në shtëpinë e të akuzuarit tashmë Granit Plava, në fshatin Cermjan në Gjakovë. Sekuestrimi i armës u bë pas bastisjes, që u krye në shtëpinë e të dyshuarit.

Plava nga Prokuroria ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “posedim i armës pa leje”.

I akuzuari i tretë është Kushtrim Kokalla, djali i tezës së Naim Murselit. Dosja tregon se Kokalla kishte refuzuar të kryente vrasjen, por që më pas kishte gjetur Granit Plavën dhe i kishte prezantuar Naim Murselit.

Edhe Kokalla ngarkohet me veprën penale “vrasje e rëndë”. E i pandehuri i katërt në këtë rast është Tom Dodaj. Ai po ngarkohet për “furnizim me armë” të tre të dyshuarve të parë, që planifikuan dhe kryen vrasjen.

28.11.2023, në ora 19:41, sipas të dhënave në Dosje të Prokurorisë thuhet se Naim Murseli i ka dërguar mesazh Granit Plavës – duke i thënë “Shok, sigurt kryhet nesër, a të ka thënë Kuqa që paradite?”.

Pas këtij mesazhi – sipas Prokurorisë – kanë vazhduar biseda me audio – një bisedë e tillë e regjistruar në telefonat e të akuzuarve ka ndodhur edhe më 29.11.2023, në ora 19:01, ku kishte pasur bisedë telefonike për 00:00:28 sekonda.

Raportimet e tjera: LINK