Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay
Gjykata anulon konkursin për edukatore në Vushtrri
Konkursi për pozitën ‘Edukatore për parashkollor për fëmijë 3-6 vjeç në Institucionin Parashkollor “Foleja”, në Vushtrri, i cili ishte rishpallur nga Drejtoria e Arsimit në këtë komunë më 20.01.2023, është anuluar me vendimin e Gjykatës së Mitrovicës – Dega Vushtrri.
Sipas arsyetimit të kësaj gjykate, paditësja A. K. më 18.05.2023 kishte ushtruar padi në këtë gjykatë duke kërkuar që ky konkurs të anulohej.
“Gjykata ka vendosur si në dispozitivin I, të këtij aktgjykimi ashtu që ka anuluar konkursin 58/23, të datës 20.01.2023, për arsye se gjatë shqyrtimit kryesor është provuar se procedura rekrutuese për përzgjedhjen e kandidatëve fitues të këtij konkursi nuk është zhvilluar sipas kritereve ligjore që kanë qenë në fuqi në kohën këtij procesi rekrutues për arsyet si më poshtë”- thuhet në vendimi.
Sipas kësaj gjykate, edhepse në rishpalljen e këtij konkursi më 20.01.2023, është theksuar se shpallja e konkursit është e bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publik, ka rezultuar se e paditura nuk ka zbatuar parimet themelore të përzgjedhjes së kandidatëve në pozitën për të cilën është shpallur konkursi.
Në vendimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës – Dega në Vushtrri, thuhet se gjetjet e gjykatës janë bazuar edhe në Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Vushtrrisë për vitin 2023, ku sipas këtyre gjetjeve përgjigjet teorike të kanidates ishin identike më përgjigjet në shabllonin e testit me shkrim që e kishte përgatitur komisioni për pranim.
“Dhe kjo lë të kuptojë që përgjigjet e testit me shkrim janë kopjuar”- shkruhet në vendimin e gjykatës.
Gjykata ka sqaruar se për këtë kanë kërkuar sqarime nga ZKA dhe se kanë vërtetuar se këto gjetje kanë të bëjnë pikërsht me konkursin në fjalë.
“Faktin se 14 nga 15 përgjigjet e testit me shkrim të kandidates K. F., janë identike gjykata e ka vërtetuar duke krahasuar edhe mënyrën e formulimeve të secilës nga pyetjet, ashtu që përpos asaj që pyetjet 1-8 kanë qenë me përgjigje opsionale, ngjashmëria totale në mes përgjigjeve të këtij testi dhe çelësit të përgjigjeve është identifikuar edhe tek pyetjet e hapura ku identifikohet se në fjalitë e përgjigjeve të dhëna, janë të ngjashme edhe shenjat e pikësimit (,) siç është rasti në pyetjet e 12 dhe 14”- thuhet në vendimin e gjykatës.
Poashtu , sipas vendimit, përveç faktit se në mes testit me shkrim të kandidates K. F. dhe çelësit të përgjigjeve të testit me shkrim dallimet janë pothujase minimale, arsye tjetër që ndikon që testi me shkrim i kësaj kandidate të jetë i parregullt, sipas kësaj gjykate është edhe fakti se i njëjti nuk ka qenë i nënshkruar nga askush.
Pra, pavarësisht se në faqen e parë të këtij testi ishte dhënë vërejtja që “Mos harroni ta nënshkruani testin në faqen e fundit”, ka rezultuar se për komisionin rekrutues, mosnënshkrimi testit të kësaj kandidate nuk është konsideruar si testim i parregullt dhe e njëjta është zgjedhur si njëra nga 10 kandidatët fituese të këtij procesi – thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Dega në Vushtrri, më 23.08.2024.
Për anulimin e konkursit ka pasur reagime nga partitë opozitare në Komunë e Vushtrrisë.
“Ferit Idrizi të pranosh 10 edukatore me një proces të tillë, të ju bësh padrejtësi dhjetra aplikanteve tjera, të t’i nxjerrë padrejtësit Zyra Kombëtare e Auditorit dhe Gjykata dhe të mos dalësh të ju kërkosh falje dhe të japësh llogari, por të zgjedhesh heshtjen, është ofendim për gjithë ata fëmijë të kopshtit, për gjithë prindërit dhe mbi të gjitha për gjithë qytetarët në përgjithësi”- thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë.
Ndërkaq, nënkryetrai i LDK-së në Vushtrri, Shkëlzen Xhaferi, ka deklaruar se kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, pas anulimit të konkursit do duhej të kërkonte falje për gjetjet gjykatës.
“Pas vendimit të gjykatës që anuloi vendimin për pranimin e 10 edukatorëve, ku u vërtetua që procesi është tërësisht i manipuluar, është e papranueshme që kryetari të mos kërkojë të paktën falje për degradimin në arsim gjatë këtyre viteve.
Vushtrria nuk e ka merituar një trajtim të tillë të qeverisjes, me një qeverisje kaotike dhe plot skandal”- ka thënë Xhaferi.
Për anlulimin e konkursit, Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, Albanez Tahiraj, nuk ka dhënë sqarime nëse do të paraqesin ankesë lidhur me këtë vendim të gjykatës.
Sipas Tahirajt, DKA në Vushtrri përfaqësohet vetëm nga zyra ligjore që funksionon në kuadër të kësaj komune.
“Ne nuk kemi kompetencë ligjore, unë për veti jam staf politik. Ata janë duke e trajtuar landën në detaje, kur kanë marrë pjesë në shkallën e parë në gjykatë, ne i kemi furnizu me prova, me material e me pretendime tona në raport me pretedimet e palës tjetër paditëse”- ka thënë Tahiraj për KALLXO.com.
Më 04.07.2024 KALLXO.com ka raportuar për gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Vushtrrisë për vitin 2023, me ç’rast ZKA kishte evidentuar shkelje në procedurat e këtij konkursi të shpallur nga Drejtoria e Arsimit në këtë komunë.
Auditori gjen shkelje në tri konkurse për mësimdhënës në institucione arsimore të Vushtrrisë