Gjykata amerikane hedh poshtë emërimin e një zyrtari të posaçëm për t’i rishikuar të dhënat e ish presidentit Trump

Ish presidenti amerikan Donald Trump ka pësuar një humbje të madhe, pasi një gjykatë federale e apelit të enjten ndaloi një shqyrtim nga palët e treta të dokumenteve të sekuestruara nga pasuria e tij në Mar-a-Lago.

Vendimi i lartcekur heq një pengesë të madhe për hetimin e Departamentit të Drejtësisë për keqpërdorimin e të dhënave të qeverisë nga koha e Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Kolegji prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së 11-të të Apelit të Qarkut të SHBA-së e anuloi urdhrin e gjyqtares së qarkut amerikan Aileen Cannon e cila e caktoi një të ashtuquajtur masteri të posaçëm* për të renditur mijëra dokumente të gjetura në shtëpinë e Trump për të përcaktuar se çfarë duhet të jetë jashtë mundësive për hetuesit. Gjykata tha se gjyqtari nuk duhet të kishte ndërhyrë fare.

“Ligji është i qartë”, shkroi gjykata e apelit. “Ne nuk mund të shkruajmë një rregull që lejon çdo subjekt të një urdhri kontrolli t’i bllokojë hetimet e qeverisë pas ekzekutimit të urdhrit. As nuk mund ta shkruajmë një rregull që i lejon vetëm ish-presidentët ta bëjnë këtë.”

Qarku i 11-të tha se secila qasje do të ishte një “rirenditje radikale e praktikës sonë gjyqësore që kufizon përfshirjen e gjykatave federale në hetimet penale” dhe se “të dyja do t’i shkelnin kufizimet e ndarjes së pushteteve”.

Departamenti i Drejtësisë po e heton pengimin e drejtësisë, keqpërdorimin kriminal të të dhënave qeveritare dhe shkeljet e ligjit të spiunazhit, sipas dosjeve gjyqësore. Hetimi u shpërfaq në opinionin publik me kontrollin i cili u bë në muajin gusht të këtij viti, i cili erdhi pasi hetuesit morën prova që ata thanë se i shtynë të besonin se Trump nuk e kishte respektuar një thirrje për të gjitha dokumentet e shënuara si të klasifikuara që ishin ruajtur në shtëpinë e tij në Florida.

Opinioni – i cili u lëshua së bashku nga trupi gjykues prej tre gjyqtarësh i përbërë nga të gjithë të emëruarit e republikanëve – i hodhi poshtë argumentet e Trump se pse ishte i nevojshëm një master special. Gjykata tha se vetëm në rrethana të jashtëzakonshme gjykata duhet të ndërhyjë në hetimet e Departamentit të Drejtësisë që janë ende në fazat e tyre të hershme dhe ky standard nuk ishte përmbushur këtu.

“Ky kufizim mbron nga ndërhyrjet e panevojshme gjyqësore në rrjedhën e hetimeve penale – një sferë pushteti e dedikuar ndaj degës ekzekutive,” shkroi gjykata.

Gjykata e apelit tha se vendimi i saj i ri do të hyjë në fuqi brenda shtatë ditësh, përveç nëse një palë në këtë çështje kërkon me sukses një urdhër – të njohur si pezullim – që ndalon hyrjen në fuqi të vendimit derisa të apelohet.

Ekipi ligjor i Trump nuk ka vendosur nëse do ta apelojë vendimin në Gjykatën e Lartë, mirëpo po shqyrton opsionin, thuhet në një burim të njohur me diskutimet për CNN./CNN

* Sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, një master i posaçëm është përgjithësisht një zyrtar vartës i emëruar nga një gjyqtar për të siguruar që urdhrat gjyqësorë të zbatohen, ose në alternativë, për t’i dëgjuar provat në emër të gjyqtarit dhe për t’i bërë rekomandime gjyqtarit në lidhje me disponimin e një çështjeje.

Përgatiti: Nuhi Shala