
Marko Gjuriq. Foto screenshot: United Nations
Gjuriq: Serbia mund të jetë nikoqire e takimit eventual mes Trumpit e Putinit
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq tha se Serbia është e gatshme të mirëpresë një takim të mundshëm midis presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
“Serbia mund të luajë një rol të rëndësishëm si mikpritëse. Presidenti [Aleksandër] Vuçiq ka ndërtuar një reputacion ndërkombëtar, që na mundëson të jemi vend i takimeve të tilla.” – tha Gjuriq për Radio Televizionin e Serbisë.
Media të ndryshme ndërkombëtare janë duke raportuar ditëve të fundit për mundësinë e një takimi të tillë, derisa Trump – i cili është zotuar se do ta përfundojë shpejt luftën e Rusisë në Ukrainë – pritet ta marrë zyrtarisht detyrën, më 20 janar.
Kremlini tha të hënën se nuk ka ende ndonjë përgatitje specifike për këtë takim, ndërsa një këshilltar i Trumpit tha se dy udhëheqësit pritet të bisedojnë përmes telefonit në ditët ose javët në vazhdim – raporton Reuters.
Duke folur për RTS-në, Gjuriq tha se Beogradi mund të bëhet me sukses vend i takimit.
“Besoj se mund ta japim kontributin tonë dhe të luajmë një rol të vogël, por jo krejtësisht të parëndësishëm dhe t’ua ofrojmë një gjë të tillë partnerëve tanë.” – tha Gjuriq.
Për gatishmërinë e Serbisë për t’u bërë nikoqire e mundshme e Trumpit dhe Putinit foli një ditë më herët edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Serbia, aleate e Rusisë, është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Javën e kaluar, industria e saj e naftës, NIS e cila në masë të madhe është nën pronësinë e një kompanie ruse, është sanksionuar nga SHBA-ja.
Por, Gjuriq tha se Serbia i ka marrë të gjitha masat për t’i shmangur trazirat në treg.
Ai tha, gjithashtu, se Serbia do të nisë Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Kjo është e një rëndësie të jashtëzakonshme për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë. Partneriteti e bën të rregullt shkëmbimin ndërmjet institucioneve tona dhe kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve në fushën e ekonomisë, teknologjisë së re, kulturës dhe arsimit, me një numër më të madh të bursave.” – tha Gjuriq.
Për Zgjedhjet në Kosovë
Kryediplomati serb foli edhe për Zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 9 shkurt.
“Është e rëndësishme që populli ynë të mbetet unik dhe që Lista Serbe të marrë pjesë në Zgjedhje, për të treguar se nuk po tërhiqemi.” – tha Gjuriq.
“Unë vërtet dua që serbët të dalin në Zgjedhje, t’i tregojmë [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti, se nuk dorëzohemi, se nuk largohemi nga institucionet dhe se serbët dhe Serbia nuk tërhiqen.” – shtoi ai.
Lista Serbe është formuar në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe që atëherë është e vetmja parti që ka mbështetjen e Serbisë për pjesëmarrje në institucionet e Kosovës.
Përveç Listës Serbe, në garë për dhjetë ulëset e garantuara për serbë në Kuvendin e Kosovës janë edhe pesë subjekte të tjera politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lëvizja Popullore Serbe, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë; Partia e Serbëve të Kosovës, Demokracia Serbe dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore./REL