Marko GJuriq - Foto: REL/AP

Gjuriq: Qytetarët e veriut të Kosovës ta respektojnë orën policore të Serbisë

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, u ka bërë thirrje qytetarëve të komunitetit serb të veriut të Kosovës që të respektojnë orën policore të shpallur nga Qeveria serbe për shkak të coronavirusit.

Sipas Gjuriqit, këto masa janë ndërmarrë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.

Deri më sot në komunat në veri të Kosovës nuk është konfirmuar asnjë raste me COVID-19.

“Në ditët e kaluara, njerëzit kanë qenë të disiplinuar”, ka thënë Gjuriq, raporton portali kossev.info.

Por, sipas tij, në 2-3 ditët e fundit te qytetarët e kësaj pjese është krijuar një paqartësi për shkak të dallimit të orës policore të shpallur nga Serbia dhe asaj nga Kosova.

Gjuriq thotë se njerëzit nuk duhet të kenë dilemën se cilën orë policore duhet të respektojnë.

“Duhet të respektojnë orën policore të shpallur nga Qeveria e Serbisë. E ata që nuk e respektojnë këtë masë do të përballen me masat e parashkruara”, ka theksuar ai.