Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë

Gjuriq: Një ekip epidemiologësh do të dërgohen në Mitrovicë të Veriut

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka bërë të ditur se një ekip i epidemiologëve do të dërgohen në spital të Mitrovicës së Veriut për të ndihmuar në parandalimin e COVID-19.

“Ministria e Shëndetësisë e Serbisë do të dërgojë një ekip të epidemiologëve në Spitalin e Mitrovicës së Veriut për të ndihmuar në trajtimin e pacientëve me gjendje më të lehtë klinike, kurse pacientët me pamje më te rëndë do të referohen për trajtm në qëndrat klinë në Kragujevac dhe Nish”, tha Gjuriq, raporton Kossev.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë për ta kuptuar nëse do të lejohen epidemiologët të hyjnë në Kosovë dhe është duke pritur përgjigjje.

Në Mitrovicë të Veriut deri më tani janë shënuar 4 raste pozitive me COVID-19.

Këta qytetarë nuk janë të përfshirë në listën e institucioneve të Kosovës të të infektuarve me coronavirus.

Deri më tani, zyrtarisht, në Kosovë janë të infektuar 106 persona me coronavirus.