Marko Gjuriq. Foto screenshot: United Nations
Gjuriq në OKB e fajëson Kosovën se po refuzon ta themelojë Asociacionin
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 30.10.2024 ka pretenduar për shkelje të të drejtave të njeriut dhe veprime të njëanshme nga Qeveria e Kosovës ndaj komunitetit serb të veri të Kosovës.
Ai ka thënë se pas ardhjes së kryeministrit Albin Kurti në pushtet, situata në Kosovë është përkeqësuar, e cila, sipas tij, ka krijuar një klimë mosbesimi dhe frike.
Po ashtu, ai ka thënë se Kurti as nuk planifikon ta implementojë marrëveshjen për formim të Asociacionit.
“Në dy vitet e fundit situata në Kosovë është përkeqësuar me shkelje të të drejtave të njeriut dhe veprime të njëanshme nga regjimi i Albin Kurtit. Dua të jap detaje për veprime të tilla kundër komunitetit serb. Që prej kthimit të Kurtit në pushtet administrata e tij në mënyrë sistematike ka intensifikuar masat për izolim e margjinalizim të komunitetit serb. Imagjinoni nëse valuta juaj do të ndalohej një ditë, pensionet të hiqen dhe mbështetja sociale të largohet. Ky është realiteti me të cilin ata ballafaqohen sot”- u shpreh ai.
Ai ka fajësuar autoritetet e Kosovës se po refuzojnë të hedhin hapa para për formimin e Asociacionit.
“Kurti ka thënë që as nuk planifikon të implementojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ky është refuzim i zotimeve që janë bërë me ndërmjetësimin e BE-së”- ka thënë ai.
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara po diskutohet për raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla po e përfaqëson Kosovën në ketë seancë.