Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq - Foto: REL

Gjuriq me leje sot në Kosovë

Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, do të qëndrojë sot në Kosovë për të marrë pjesë në kremtimet e serbëve që i bëjnë festës së Krishtlindjeve ortodokse.

Gjuriq për këtë vizitë u ka bërë kërkesë institucioneve të Kosovës dhe i është aprovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, Jetlir Zyberaj kështillar i Ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

“Gjuriq ka qenë i rregullt dhe shumë i disiplinuar në parashtrimin e kërkesës dhe i është aprovuar. Gjithashtu, ky është një tregues i qartë se Kosova i respekton te gjitha obligimet ndërkombëtare qe ka marrë për lëvizjen e lirë të njerëzve”, tha Zyberaj.

Ai shtoi se Serbia duhet ta liroj Nezir Mehmetaj, i cili u ndalë ditë më parë nga policia serbe.

“Në anën tjetër Serbia, vazhdon me mentalitet kriminal ta trajtoje Kosovën duke i ndaluar pa arsye qytetarët tanë. BE nuk duhet ta tolerojë një gjë të tille ngase situata mund edhe të eskaloj. Serbia duhet menjëherë ta lirojë qytetarin tonë z.Mehmetaj dhe të ndaloje persekutimin dhe sjelljen kriminale ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës”, thotë Zyberaj për KALLXO.com

Para dy vitesh, Gjuriq ishte arrestuar nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës, në Mitrovicën e Veriut në një tubim, pasi kishte hyrë pa leje në Kosovë.

Pas arrestimit, ai nën përcjelljen e autoblindave të Policisë së Kosovës, u nis drejt Prishtinës. KALLXO.com përcolli live ardhjen e Gjuriqit në Prishtinë, i cili u soll në stacionin e policisë në qendër të kryeqytetit.

I përcjellë nga forca të shumta policore, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, u soll në stacionin e policisë në Prishtinë. Pasi u mor në pyetje, institucionet e Kosovës vendosën ta deportojnë Marko Gjuriq përmes pikës kufitare të Merdares në Serbi.

Fotogaleri: ‘Rruga’ e Gjuriqit nën Pranga Drejt Prishtinës

www.kallxo.com