Marko Gjuriq - Foto: REL

Gjuriq - Lajçakut: Për Serbinë, të enjten në Bruksel temë e parë do të jetë Asociacioni

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se në takimin e së enjtes në Bruksel, tema e parë qe do të diskutohet mes palës kosovare dhe serbe do të jetë çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Këtë e ka thënë si përgjigje në postimin e emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili theksoi sot se të enjten në Bruksel dy shtetet do të diskutojnë për çështje financiare.

“Faleminderit për mbajtjen e takimit. Tema e parë në axhendë nesër do të jetë Komunat me shumicë serb. Të paktën nga pala serbe. Kjo për të cilën jemi pajtuar me ndërmjetësim të BE-së, shtatë vjet e gjysmë më herët. Po ajo”, ka shkruar Gjuriq në Twitter.

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takim në Bruksel të enjten, në nivel të ekspertëve.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka bërë të ditur se pala kosovare dhe ajo serbe, të enjten në Bruksel do të diskutojnë për lehtësirat financiare për komunitetin jo-shumicë.

Sipas Lajçak kështu kanë rënë dakord presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Lajçak nuk e ka përmendur Asociacionin si temë, por duket se ka gjetur një term zëvendësues për këtë duke iu referuar si “aranzhime për komunitetin jo-shumicë”.

“Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri Hoti ranë dakord se negociatorët e tyre do të ndjekin zgjidhjen e kërkesave dhe rregullimeve të ndërsjella financiare për komunitetin jo-shumicë. Të dy temat janë shumë komplekse. Kjo është arsyeja pse ne do të diskutojmë pretendimet financiare nesër dhe aranzhimet për komunitetin jo-shumicë në ditët në vijim”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka mohuar që në takimin e nesërm në Bruksel do të diskutohet për Asociacionin.

Lajçak jep detaje për takimin e nesërm në Bruksel mes ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë