Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë

Gjuriq: Kurti nuk do marrëveshje, por kapitullim të Serbisë

Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti nuk dëshiron të arrijë ndonjë marrëveshje me Serbinë.

“Albin Kurti ka dëshmuar me fjalët e tij se nuk dëshiron ndonjë marrëveshje me Serbinë, se nuk dëshiron një bisedë të vërtetë, por se e vetmja gjë që ai dëshiron është kapitullimi poshtërues i Serbisë”, tha Gjuriq për medien serbe Tanjug.

Ai shtoi se qytetarët e Serbisë duhet të dinë se “Kapitullimi poshtërues i serbëve dhe i Serbisë është padyshim dëshira e mentorëve individualë të huaj që e mbështesin atë”.

“Si nga jashtë ashtu edhe nga brenda duhet ta dinë që derisa, president është Aleksandër Vuqiç dhe ndërsa populli i Serbisë, të gjithë ne, së bashku me të, nuk do të ndodhë kurrë kjo”, tha Gjuriq.

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, zyrtarisht mori detyrën dje.

Gjatë seancës plenare për formimin e qeverisë, Kurti foli për dialogun me Beogradin.

“Unë do të flas me Serbinë mbi parimin e reciprocitetit – deri në njohje”, tha ai.

Dialogu Kosovë-Serbi është pezulluar, pasi që ish-kryeministri, Ramush Haradinaj vuri taksë ndaj produkteve serbe në fund të viti 2018.

Kurse, në janar të këtij viti  është arritur marrëveshje për linjën ajrore Prishtinë-Beograd në Berlin me ndihmën e të dërguarit të Trump për dialog, Richard Grenell.

Grenell po ashtu ka paralajmëruar edhe aktivizimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Beograd. Ai është shprehur i vendosur që përpos linjave ajrore të shtyn përpara edhe hapjen e hekurudhave.