Marko Gjuriq - Foto: REL

Gjuriq: Albin Kurti nuk mund t’ia mohojë Listës Serbe hyrjen në qeverinë e Kosovës

Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë sot se kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, nuk mund ta privojë Listën Serbe për të qenë pjesë e qeverisë së Kosovës në mandatin e ardhshëm.

Në një deklaratë të lëshuar të premten, Gjuriq tha se Lista Serbe ka dalë fituese në komunitetin serb ndaj rivalëve tjerë politikë.

“Në zgjedhjet e fundit, Listës Serbe i është dhënë e drejta ekskluzive për ta artikuluar interesin e shtetit serb dhe atë nacional në Kosovë dhe askush, madje as Albin Kurti, nuk mund t’ia mohojë këtë të drejtë”, tha Gjuriq.

Ai sërish i ka sulmuar liderët tjerë të serbëve të Kosovës, Nenad Rashiq dhe Rada Trajkoviq duke thënë se “ata vetëm emrin dhe mbiemrin e kanë serb” dhe se “nuk po munden ta fshehin urrejtjen e tyre ndaj çdo gjëje serbe”.