Foto: Faqja e presidencës në Mal të Zi

Gjukanoviq bën thirrje për qetësi pas paralajmërimit për marrëveshje me Kishën serbe

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, hodhi poshtë mundësinë e një marrëveshjeje të afërt mes Qeverisë në Podgoricë dhe Kishës Ortodokse Serbe, duke u munduar kështu të ulë disi tensionet që kanë përfshirë shtetin ballkanik.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, u shpreh më 29 qershor se pavarësisht krisjeve të koalicionit, qeveria e tij do të nënshkruante një “marrëveshje thelbësore” që do të përmirësonte marrëdhëniet e ndjeshme me Kishën Ortodokse Serbe, e cila ka ndikim të konsiderueshëm ne vendin e tij dhe brenda koalicionit qeverisës.

Shumica e malazezëve janë besimtarë ortodoksë nën Kishën Ortodokse Serbe, e cila ka një degë të sajën në Cetnije, e quajtur “Mitropolia e Malit të Zi dhe Bregdetit”.

“Më e rëndësishmja për Malin e Zi është që të zhbllokojë procesin e negociatave dhe të ecë përpara drejt Evropës, por për shkak të rrethanave, kjo është shndërruar në një çështje tejet e rëndësishme politike”, deklaroi Gjukanoviq në Madrid, pas mbylljes së samitit të NATO-s më 30 qershor.

“Duhet vetëm të ulim tensionet [dhe] media nuk duhet të rrisë më tepër se ç’duhet rëndësinë e kësaj çështjeje”, shtoi ai.

Disa protesta u organizuan në Podgoricë pas njoftimit të bërë nga Abzoviq, krah patriarkut serb.

Përveç çështjeve të pazgjidhura rreth pronës dhe parësisë, kisha serbe është përzier disa herë edhe politikisht në çështjet malazeze, përfshi organizimin e protestave përpara zgjedhjeve që rrëzuan aleatët qeverisës të Gjukanoviçit në vitin 2020.

Kritikët thonë se projekt-marrëveshja njeh subjektivitetin ortodoks serb gjashtë shekuj më herët sesa i jepet kishës në vetë Serbinë dhe se ajo shtrin në mënyrë të pasaktë ndikim në territorin malazez.

Gjithashtu thuhet se në marrëveshje përcaktohen kriteret për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të regjistrimit mbi pronat. Kisha serbe kontrollon qindra prona në të gjithë Malin e Zi.

Abazoviq nuk specifikoi se kur pritet të nënshkruhet kjo marrëveshje.

Gjukanoviq e ka bërë identitetin malazez një temë të spikatur mbi në politikën e brendshme që daton nga shpërbërja e Jugosllavisë tre dekada më parë teksa ka kërkuar të frenojë ndikimin e kishës serbe duke promovuar një grup alternativ malazez.

Mali i Zi ka qenë pjesë e një federatë së bashku me Serbinë deri në mbajtjen e një referendumi për pavarësi në vitin 2006, por lidhjet etno-nacionaliste, historike dhe kulturore me Serbinë janë të thella.

Partia më e madhe në Malin e Zi, Partia Demokratike e Socialistëve (PDS), dhe social demokratët (SDP) kritikuan draftin e “Marrëveshjes Themelore për Rregullimin e Marrëdhënieve Reciproke” të publikuar më 28 qershor duke e cilësuar si “tepër bujare ndaj kishës serbe”.

Abazoviq u kundërpërgjigj duke thënën se “ato parti e kishin mundësinë të shprehnin pakënaqësinë e tyre” por asnjë nga krerët parlamentarë nuk e kundërshtuan kur panë draft-marrëveshjen para se ajo të publikohej.

Ai la të kuptohej se ata mund të ushtrojnë fuqitë e tyre të ligjshme, por se “kjo qeveri do ta mbyllë këtë çështje.”

Pas takimit të tyre në selinë e kishës në Beograd më 30 qershor, patriarku ortodoks serb Porfirije tha se marrëveshja e re do të shënonte një “kurorëzim” të normalizimit të marrëdhënieve midis Malit të Zi dhe kishës së tij.

Ai vuri në dukje se përpjekjet për të arritur një marrëveshje kishin filluar në vitin 2012-të.

Që atëherë, në fund të vitit 2019-të, Gjukanoviq dhe një qeveri e mëparshme nisën një betejë ligjore ndaj operacioneve dhe pronës së kishës serbe.

Vendimi shkaktoi një largim nga koalicioni të disa partive pro-serbe dhe protesta që përfundimisht u kushtuan aleatëve të Gjukanoviqit shumicën qeverisëse në zgjedhjet e 2020-s./REL