Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Gjuhë fyese e denigruese ndaj Gërvallës dhe Kurtit, koalicioni AAK-Nisma dënohet me 5,500 euro

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka dënuar me 5,500 euro koalicionin AAK-Nisma Socialdemokrate, Konservatorët dhe Intelektualët për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët.

Ankesën kundër koalicionit në PZAP e ka deponuar LVV më 29.01.2025.

Në ankesën e LVV-së thuhej se më 29.01.2025, aktivistë të LVV-së kanë vërejtur se në profilin e Labinot Gjinit, kandidatit për deputet nga radhët e koalicionit AAK-Nisma Socialdemokrate, Konservatorët dhe Intelektualët, ka të publikuar një postim në llogarinë e tij në Facebook, në të cilin kishte përdorur gjuhë fyese dhe denigruese ndaj kandidates për deputete Donika Gërvalla dhe Albin Kurtit, kandidatit për kryeministër të Kosovës nga radhët e LVV-së.

Në ankesë thuhet se përmes profilit titullit të postimit “Beogradi mendon, Donika kallzon” pastaj “kjo grua që nuk e din sensin e fjalëve”, “kjo del nga një prodhim termash, qëndrimesh që burimin e ka në Beograd”.

“Thuajse çdo fjali e postimit tjetër po qe se shkëputet, secila në veti përbën shkelje të nenit 34, paragrafit 1, nënparagrafit 1.11 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme” – thuhet në vendimin e PZAP-së që mban datën 01.02.2025.

Në përgjigjen në ankesë të paraqitur me datë 31.01.2025, Koalicioni AAK-Nisma, Konservatorët dhe Intelektualët, kanë theksuar se e kundërshtojnë në tërësi pretendimet e subjektit politik LVV, duke i konsideruar ato të pabazuara.

“Në asnjë moment z.Gjini nuk ka përdorur gjuhë që nxit dhunë ndaj znj.Gërvalla apo që promovon ndonjë formë urrejtjeje ndaj saj” – thuhet në vendim.

Sipas PZAP-së, përmbajtja e postimit në llogarinë e tij në Facebook të kandidatit për deputet nga radhët e koalicionit, Labinot Gjini, konsiderohet gjuhë nxitëse dhe urrejtëse kundrejt të tjerëve në kuadër të fushatës zgjedhore dhe se kjo konsiderohet shkelje e rregullave zgjedhore në Kosovë.

“Ngase veprimi i marrë në kohë të fushatës zgjedhore, konteksti dhe masa që i është drejtuar ka për qëllim të krijojë atmosferë tensioni ose të nxisë ndjenja të urrejtjes dhe të përçarjes” – vazhdon vendimi.

Vendimin e plotë të PZAP-së për këtë rast mund ta lexoni në këtë LINK.

Shuma të majme të gjobave ka shqiptuar PZAP kundrejt partive politike që nga fillimi i fushatës zgjedhore.

PZAP u ka shqiptuar gjoba në vlerë 125 mijë euro subjekteve politike për shkelje të rregullave zgjedhore që nga fillimi i fushatës zgjedhore, e cila ka nisur më 11.01.2025 e deri më 22.01.2025.

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025 janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë zgjedhjet e gjashta me radhë që do mbahen në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17.02.2008.