Gjuha mund të krijojë mirëkuptim

Kosova synon të jetë shtet multietnik, mirëpo sistemi arsimor nuk promovon kurrikulë ku gjeneratat e reja mësojnë gjuhën e njëri- tjetrit. Përderisa në disa shkolla të Prishtinës nxënësit përpos gjuhës angleze mund të mësojnë gjermanisht apo frëngjisht sistemi arsimor nuk ka siguruar që ata të kenë për lëndë të dytë gjuhën serbe. Situata është e njëjtë në shkollat në gjuhën serbe ku nuk mësohet gjuha shqipe. Por për dallim nga vendimet politike në arsim të rinjtë kosovarë shqiptarë në Prishtinë mësojnë serbisht në mënyrë vullnetare, kurse serbët e Kosovës mësojnë shqip gjithashtu vullnetarisht. Edhe në Beograd mësohet gjuha shqipe. Ndërkohë, një sistem zgjedhor i mësimit të gjuhëve po synon të zvogëloj barrierat gjuhësore në mes komunitetit shqiptar dhe serb në Kosovë.

Millosh Vuçiniq, një 26-vjeçar serb nga fshati Zupç në veriun e Kosovës, është mësues që u ka ligjëruar mësimin e serbishtes dy grupeve të shqiptarëve në Universitetin e Prishtinës. Kurset e gjuhës serbe kryesisht pa pagesë të përkrahura nga donatorët janë një risi në Prishtinë, pasi prej 25 vjetësh, pas përfundimit të sundimit serb në Kosovë, serbishtja nuk është më lëndë në institucionet arsimore të Kosovës. Më parë, gjatë periudhës jugosllave, gjuha serbe ishte lëndë e detyrueshme në shkollat e Kosovës.

Rinia e sotme tregon gjithnjë e më shumë interes për gjuhën serbe për arsye të ndryshme. Disa duan thjesht të përmirësojnë mundësitë e tyre të karrierës me njohuri të gjuhës, të tjerë duan, për shembull, të kuptojnë më mirë kulturën dhe historinë që ka formësuar Kosovën në kohët e fundit.

Vuçiniq kërkoi mundësi të reja dhe tani është i befasuar që është mësues i gjuhës së tij amtare- serbishtes, për shqiptarët. Meqenëse ai nuk flet shqip dhe studentët shqiptarë nuk flasin serbisht, ata zgjodhën anglishten si gjuhë të përbashkët të mësimdhënies. “Mund të them se ishte një kënaqësi të isha mësues i gjuhës serbe për shqiptarët që duan të mësojnë gjuhën e fqinjëve të tyre. Në fillim ishte sfiduese, sepse gjuha e mësimdhënies ishte anglishtja, por ishte interesante”, thotë Vuçiniq, mësues i serbishtes.

Kurset mbahen në qendrën e gjuhëve të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Ky projekt është një iniciativë nga IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migracionin) me mbështetjen financiare të ambasadave zvicerane dhe britanike. Në nivelin A1, që ligjërohet nga Milloshi, janë 19 studentë, megjithatë në total janë 60 kosovarë shqiptarë të moshës 16 deri 26-vjeç që kanë përfituar nga oferta e IOM-it dhe kanë mësuar gjuhën serbe.

Në Kosovë ka dy gjuhë zyrtare. Ky standard është i paraparë me ligje dhe Kushtetutë. Sllavisha Mlladenoviq, Komisioner për Gjuhët në Zyrën e Kryeministrit, e konfirmon këtë: “Standardi i vendosur nga ligji dhe Kushtetuta është shumë i lartë dhe thotë se kemi dy gjuhë të barabarta zyrtare në të gjitha aspektet. Kur kemi parasysh standardin, është e qartë se standardi nuk zbatohet.”

Ai njeh shumë raste kur qytetarët ankohen se gjuha e tyre zyrtare nuk flitet, për shembull në kontaktet me policinë, me autoritetet, ministritë ose në gjykata. Edhe gjatë kërkimit të punës ose në sektorin e shëndetësisë, njerëzit refuzohen për shkak të barrierës gjuhësore. “Pra, kjo është vërtet një gur themel i një shoqërie demokratike ku të drejtat e të gjithëve janë të garantuara,” thotë Mlladenoviq.

Për të, ka vetëm një zgjidhje për këtë situatë të vështirë: “Zgjidhja kryesore për këtë është arsimi formal, sepse nuk mund të mbështetemi në projekte të shkurtra ku shqiptarët mësojnë gjuhën serbe dhe serbët mësojnë gjuhën shqipe. Këto krijojnë vetëm kapacitet të kufizuar dhe nuk janë të mjaftueshme për nevojat e tregut të Kosovës. Ajo që na nevojitet vërtet është një sistem formal arsimor për të futur mësimin e gjuhës tjetër zyrtare në të dyja shkollat”, thotë Mlladenoviq.

Motivimet përse të rinjtë shqiptarë ndjekin kursin e serbishtes te Milloshi dhe kolegët e tij janë të ndryshme. “Disa studentë ndjekin kursin sepse punojnë në organizata qeveritare dhe kanë kontakt me minoritetet dhe duan të dinë sa më shumë gjuhën. Ka të tjerë që punojnë në institucione të ndryshme dhe e kanë të nevojshme gjuhën,” shpjegon mësuesi i serbishtes Millosh Vuçiniq.

Në grupin e Milloshit është edhe Lekë Krasniqi, një 19-vjeçar kosovar shqiptar, i cili dëshiron të mësojë serbisht sepse do t’i ndihmojë në studimet e tij të filozofisë për shkak të letërsisë serbe. “Dëshira për të mësuar gjuhën serbe erdhi vetë, sepse e kam si hobi të mësoj gjuhë të huaja. Duke marrë parasysh faktin se ka shumë përkthime shkencore në serbisht, fillova të mësoja pak serbisht rreth dy vite më parë, por rregullisht e mësoj atë në kurs prej 4 muajsh”, thotë Krasniqi.

Në Qendrën e Gjuhëve të Universitetit të Prishtinës, shumica e mësuesve të gjuhëve të huaja janë folës të gjuhës amtare të gjuhëve që ligjërojnë. Kurset e gjuhëve janë falas për pjesëmarrësit dhe mbështeten nga IOM – Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.

IOM mbështet jo vetëm mësimin në universitet, por edhe metodat moderne si aplikacioni Voc Up, një mundësi online për të mësuar shqip-serbisht. Voc Up përdoret gjithashtu nga Majlinda Jashanica, një 30-vjeçare nga Prishtina. Ajo punon për një organizatë ndërkombëtare në Kosovë dhe ka shumë kontakte serbe, madje edhe miq serbë.

“Përveç faktit se gjuha serbe është një nga gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, unë gjithashtu punoj në organizata ndërkombëtare, dhe është e rëndësishme të flasësh të dy gjuhët zyrtare si dhe anglishten si gjuhë të huaj. Mendoj se përveç punës, është gjithashtu e rëndësishme të njoh gjuhën e komunitetit serb në Kosovë, me të cilin ruaj miqësi. Pse të mos e mësoj gjuhën e tyre?”, thotë ajo.

Interesimi i serbëve të Kosovës për ta mësuar gjuhën shqipe është po ashtu në rritje. 20-vjecari serb nga Kosova, Petar Markoviq është duke e mësuar gjuhën shqipe, sepse i duhet për punën e tij. “Mua njohja e gjuhës shqipe dhe serbe më duhet patjetër për punën time. Për shkak të bashkëpunimeve të shumta që kam me kolegë nga të gjitha komunitetet, gjuhë ma lehtësojnë punën.” thotë ai.

Kushdo që dëshiron të zhvillohet profesionalisht në Kosovë, mëson gjuhët e vendit si serbisht ose shqip. “Nuk njoh ndonjë aplikacion tjetër për gjuhën serbe, por mendoj se VOC UP është një aplikacion shumë i mirë dhe është shumë i lehtë për t’u mësuar përmes këtij aplikacioni,” thotë Majlinda Jashanica.

Vetëm vitin e kaluar, rreth 100 shqiptarë u regjistruan për të mësuar gjuhën serbe sipas metodikës së VOC UP. Shejhan Belegu, që punon për Voc Up, mendon: “Sinqerisht, interesi për të mësuar gjuhën serbe është gjithnjë në rritje. Kjo ndodh sepse ne duhet të mësojmë gjuhën e njëri-tjetrit, veçanërisht kur bëhet fjalë për qasjen në institucionet publike, ku pritet që ne të njohim gjuhën e njëri-tjetrit.”

Përveç gjuhëve zyrtare shqipe dhe serbe, në Kosovë përdoret anglishtja për komunikim të përgjithshëm. Është ideale të flasësh të tria gjuhët në Kosovë, ashtu siç i ka mësuar 52-vjeçarja Fatmire Muratoviq. Ajo punon si përkthyese në Agjencinë e Tatimeve në Prishtinë. Shqiptarja nga Kosova ka lindur në Beograd dhe ka shkuar në shkollë atje. Ajo është rritur dygjuhëshe: “Në shtëpi në Beograd gjithmonë përpiqeshim të flisnim shqip”, kujton ajo.

Sot, kjo dygjuhësi i ka siguruar një ofertë të madhe pune në Prishtinë. “Kam shumë më tepër oferta për punë për të përkthyer sesa që kam kapacitete. Në vendin tim të punës përkthej 8 orë në ditë,” thotë ajo dhe psherëtin “përveç kësaj, unë gjithashtu punoj si freelancer për organizata të ndryshme joqeveritare, ku punoj rreth 10 ditë në muaj në punëtori dhe konferenca të ndryshme, ku ata kanë nevojë për përkthim në tre gjuhë: serbisht, anglisht dhe shqip.”

Sipas përvojës së saj, nevoja për përkthyes është shumë e lartë dhe po rritet më tej, “sepse brezat e vjetër, të cilët ende kanë mësuar serbisht në shkolla, tani po dalin në pension.”

Në kohën e qeverisjes së Jugosllavisë nga Josip Broz Tito Kosova fitoj autonominë e cila garantonte standard të mirë të përdorimit të gjuhës shqipe. Atëkohë nxënësit në shkollë mësonin dy gjuhët shqipen dhe serbishten  Ndërkohë, në Prishtinë u ndërtua universiteti dhe u menaxhua me një kurrikulë të veçantë në gjuhën shqipe. Pas epokës së Titos dhe me ardhjen e politikave nacionaliste, presidenti i mëvonshëm, Sllobodan Millosheviq, e kufizoi sërish këtë liri dhe autonomi. Kurrikulat serbe u bënë sërish të detyrueshme.

Në Kosovë, si përgjigje ndaj kësaj, mësimi u organizua në një sistem paralel. Mësuesit e gjuhës shqipe u paguan pjesërisht nga qytetarët.

Edhe sot, të rinjtë në Kosovë janë të ndarë në shkolla dhe universitete që flasin shqip dhe serbisht. Një organizim i përbashkët është absolutisht i rrallë. Gjenerata e pasluftës, e cila sot është deri në 25 vjeç, nuk e njeh më këtë konflikt nga përvoja personale. Pa paragjykime, kjo gjeneratë po i afrohet barrierës gjuhësore në vendet e tyre: ka shqiptarë në Prishtinë që duan të mësojnë serbisht dhe ka serbë në Beograd që duan të mësojnë shqip.

Njëra nga të rejat serbe nga Beogradi është Angela Markoviç. Ajo është 25 vjeçe dhe studion gjuhën shqipe në Fakultetin Filologjik në kryeqytetin serb, Beograd. “Kam një pasion të madh për gjuhët e huaja, pasi gjuha shqipe për mua është një gjuhë ekzotike dhe interesante. Është një gjuhë e panjohur për ne këtu në Serbi. Nuk e di pse, por më pëlqen shumë,” thotë Markoviç.

Në Beograd jetojnë rreth 2000 shqiptarë, të cilët kryesisht e kanë mësuar serbishten gjatë rinisë së tyre dhe kanë ndërtuar jetën e tyre në Beograd në gjuhën serbe. Njohësit e komunitetit shqiptar në Beograd njohin vendet ku mblidhen shqiptarët, të cilat janë të rralla, por ku mund të dëgjohet edhe muzikë shqipe, si për shembull në rrugën ‘Skadarlija’, e cila në shqip quhet ‘Rruga e Shkodrës’. Studentja serbe është e magjepsur nga esenca e gjuhës shqipe dhe për këtë arsye dëshiron të bëjë doktoraturën në Beograd në këtë gjuhë.

Si Angela, çdo vit regjistrohen 4 deri në 6 studentë serbë në Fakultetin Filologjik në Beograd për të mësuar gjuhën shqipe. Departamenti i gjuhës shqipe në Fakultetin Filologjik në Beograd është departamenti më i vjetër i universitetit. “Kur i them dikujt këtu në Beograd dhe përgjithësisht në Serbi se po mësoj shqip, kjo është diçka e çuditshme, por asgjë e keqe. Njerëzit janë shumë të habitur kur dëgjojnë gjuhën shqipe,” thotë Markoviç.

Në vitet 1998-1999 Kosova u shndërrua në një arenë ngjarjesh të dhunshme e cila përfundoi me ndërhyrjen ushtarake të NATOS, e cila ndërhyu në konflikt për të ndërprerë veprimet e regjimit të Millosheviqit. Nëntë vite më vonë, në vitin 2008, me zotime për një shtet multietnik, Kosova arriti të shpallë sovranitetin e saj. Serbia nuk e ka njohur kurrë këtë, mirëpo në Bruksel u arritën disa marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve në mes të cilave ajo për njohjen e diplomave dhe marrëveshje të tjera në fushën e arsimit. Por marrëveshjet nuk janë zbatuar në plotni sidomos këto të fushës së arsimit.

Interesi për të mësuar gjuhën e tjetrit mbetet pra një çështje individuale. Serbët dhe shqiptarët janë thjesht të interesuar ose kanë arsye të caktuara për të mësuar gjuhën e tjetrit. Në Beograd, shumë mësues ofrojnë gjithashtu kurse të gjuhës shqipe. Një mundësi për serbët në Serbi për të mësuar shqip është platforma VOC UP, e cila ofrohet si aplikacion edhe në gjuhën shqipe. Interesi i serbëve për të mësuar shqip përfshin ndër të tjera arsye si ato të Angela Markoviç, që i pëlqejnë gjuhët ekzotike, ose për arsye të tjera praktike si Milica Ziviç, që ka nevojë për gjuhën shqipe për punën e saj.

Milica ka punuar si gazetare dhe shpesh udhëton në Kosovë. “Më pëlqen gjuha dhe më duhet edhe për intervista, prandaj fillova ta mësoj, dhe më pëlqen,” thotë gazetarja e re. Në Beograd, mund të punosh me gjuhën shqipe si hulumtues, përkthyes, mësues dhe në media si gazetar.

Për të dyja palët është befasuese që të rinjtë kanë filluar të mësojnë gjuhën e tjetrit, sipas perspektivës së të dyja vendeve. Edhe pse lufta ndodhi para 25 vjetësh, gjuha nuk është fajtore për këtë. Ata jetojnë në të dyja vendet si fqinjë, si minoritete në secilin vend. Nëse një fqinj nuk mund të komunikojë, nuk mund të shprehë mendimin e tij, dhe tjetri nuk mund ta kuptojë atë. Prandaj, gjuha luan një rol kyç për të kuptuar dhe normalizuar marrëdhëniet midis dy grupeve etnike.

“Fakti që njerëzit në Kosovë mund të mësojnë serbisht është shumë interesant për mua dhe mendoj se është një gjë shumë e bukur, sepse besoj se nëpërmjet bisedave mund të komunikojmë dhe të bëjmë thjesht gjëra të mira,” thotë serbja Angela Markoviç.

E gjithë kjo e motivon gjithashtu Millosh Vuçiniq në orët e tij të serbishtes në Universitetin e Prishtinës, pasi ai thotë: “Duhet të mësojmë gjuhët e tjetrit që të kuptojmë më mirë edhe kulturën e tyre. Nëpërmjet gjuhës arrihet mirëkuptimi dhe pajtimi,” thotë mësuesi serb nga Kosova, Vuçiniq. Shqipja dhe serbishtja janë gjuhë shumë të ndryshme. Nuk ka asnjë fjalë të përbashkët në këto gjuhë, megjithëse për shkak të së kaluarës, disa fjalë kanë hyrë në të dyja gjuhët për shkak të përdorimit më të lehtë të gjuhës tjetër. Gjuha mund të kontribuojë thjesht në mirëkuptim dhe zgjidhjen e konflikteve. Masat shtetërore si ndalimet nuk ndihmojnë në bashkimin e njerëzve, por i ndajnë ata. Në rastin e Kosovës, kjo tregon se nuk ka pasur një përfundim të mirë për të dyja palët, dhe të dyja palët vuajnë ende nga politikat nacionaliste.

Shënim: Ky artikull është prodhuar me ndihmën e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Vjosa Çerkinit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Europian.