Gjuha e urrejtjes si “artileri” në betejën për pushtet

Fushata zgjedhore në Kosovë, e nisur zyrtarisht më 11 janar 2025, po përcillet nga një diskurs i vrazhdë mes rivalëve për kryeministër të ardhshëm të vendit dhe mes kandidatëve që pretendojnë të bëhen deputetë të legjislaturës së re e cila pritet të krijohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Fjalimet e mbushura me gjuhë të urrejtjes, me ironi dhe me ofendime të ndërsjella mes liderëve të pozitës dhe opozitës, po i lënë në plan të dytë ato që do duhej të ishin thelbësore në garën për pushtet- programet zgjedhore. Partia që ka qeverisur në katër vjetët e fundit- Lëvizja Vetëvendosje, në fakt as që e ka ofruar një program të tillë. Megjithatë, për gjuhën dhe veprimet që nuk janë brenda normave të lejuara, secila prej partive është duke u gjobitur në vazhdimësi.

Lëvizja Vetëvendosje është ndëshkuar me 4 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për gjuhën fyese që ka përdorur lideri i saj, Albin Kurti, gjatë një tubimi në Pejë. “Këtu, qysh e dini edhe ju vet, Ly-Dy-Ky-Hi dhe Py-Dy-Ky-Hi (aludimi në LDK-në dhe PDK-në) janë bashkë në koalicion. Ata mund të jenë nostalgjik për të kaluarën kur kanë keqqeverisur bashkë, por nuk mund të jenë më ëndërrimtarë që mund të përsëritet kjo”, tha Kurti para simpatizantëve të LVV-së, në qytetin rrëzë Bjeshkëve të Nemuna (shih videon e publikuar në TikTok).

Por, s’u ndal me kaq! LDK-në, partinë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku, rivali i tij për pozitën e kryeministrit, ai e krahasoi me mizën. “Kur na rastis të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të Ly-Dy-Ky-Hit se populli po ka simpati për ta, mua më ngjan me mizën që thoshte se kudo që po shkoj po e presin me duartrokitje”, tha Kurti, duke shtuar më pas se “ato duar që duartrokasin [dihet] se çka janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize” (Shih videon e publikuar në TikTok).

Nga krahasimet, megjithatë nuk shpëtoi as ai. Për mënyrën e të folurit dhe gjestikulacionet e tij, kandidatja për deputete nga LDK-ja, Xhenet Syka, shpërndau një video krahasuese me tendencë të përngjasimit me diktatorin nazist, Adolf Hitler. Ky veprim i kushtoi LDK-së, me një gjobë prej 20 mijë euro nga ana e PZAP-së, organit të përhershëm, të pavarur dhe kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat e lejuara që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.

Shkaku i gjuhës dhe i veprimeve të aktivistëve nga gjobat nuk ka shpëtuar as Partia Demokratike e Kosovës. Më 8 mijë euro u gjobit kjo parti për shkak se Armend Ahmeti, zyrtar në Komunën e Skenderajt, shpërndau një video në të cilën shihet dhe dëgjohet Sami Lushtaku, kryetari i Degës së PDK-së në këtë komunë duke i quajtur “zagarë” aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. “T’i çojmë mesazh Albin Kurtit dhe zagarëve të tij” – dëgjohet duke thënë Lushtaku. I biri i tij, Mërgimi është në listën e kandidatëve të PDK-së për deputetë.

PDK ia pa “sherrin” edhe Sekretarit të Degës në Malishevë, Ruzhdi Kryeziut. Në një video të publikuar në rrjetet sociale shihet Kryeziu bashkë me një qytetar që aderon në PDK, me ç’rast ky i fundit e prenë me gërshërë kartelën e anëtarësisë të LVV-së. “Nga sot kthehemi të shtëpia e vjetër, aty ku i kemi rrënjët tona të para dhe nga sot e shkatërrojmë kartelën e populistëve” – thotë i aderuari në PDK. Për këtë gjest, PDK-së iu shqiptua një gjobë prej 2 mijë euro.

I përmbajtur nga përdorimi i gjuhës fyese nuk është treguar as lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, që njëherësh është edhe kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-Nisma. Që në hapje të fushatës, ai e akuzoi rivalin nga LVV-ja, Albin Kurtin, si “argat të Serbisë dhe Rusisë”. “Nuk dojmë me ba lojna me sigurinë nacionale pas shpinës së aleatëve tonë e në interes të Rusisë e Serbisë nga argati i tyre”, tha ai, duke bërë më pas edhe thirrje: “Shko Albin te prokurori se nuk po dojmë me u vjedh rezervat shtetërore, buka e ushtarit, as te energjia. Shko te prokurori e merri hajnat tjerë se je shef i hajnave”. Kjo gjuhë e Haradinajt i kushtoi AAK-së me gjobë prej 12 mijë euro nga PZAP.

Haradinaj, që bashkë me partnerët e koalicionit garojnë në zgjedhje parlamentare me moton “Direkt në NATO”, e ka cilësuar Kurtin edhe si mercenar. “Shko se neve nuk na vjen marre prej UÇK-së se jemi kanë UÇK dhe kemi luftu për liri. Shko se e ke fy dhe poshtëru nderin e luftëtarit të lirisë. Ti je mercenar, s’është UÇK-ja mercenar, s’ka mercenarë në UÇK, ti edhe soji yt jeni mercenarë- shkoni” – ka thirrur ai.

Një gjuhë ofenduese ndaj opozitës ka përdorur edhe kandidati për deputet nga LVV, Xhelal Sveçla. Aktualisht, ai është ministër i Punëve të Brendshme. Në një tubim në Vushtrri, Sveçla i ka quajtur ‘disa’ anëtarë të ish-qeverive si ‘bërllok’. “Disa bërlloka të partive të vjetra thanë se Policia e Kosovës po sillet si Policia e Millosheviqit në veri. Këta bërlloka a do t’i hedhim në kantën e bërllokut të historisë sonë?” – ka deklaruar Sveçla.

PZAP ka dënuar me 4,500 euro edhe Koalicionin për Familjen pas një ankese të organizatave CEL Kosova dhe Dylberizëm me pretendimin se anëtarët e këtij koalicioni kanë përdorur gjuhe fyese dhe diskriminuese ndaj komunitetit LGBT+, promovimin e përçarjes dhe frikës ndaj qytetarëve si dhe nxitjen e urrejtjes.

Fushata negative me ndikim afatgjatë në shoqëri

Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Gëzim Qerimi thotë se gjuha e urrejtjes është shndërruar në një nga karakteristikat kryesore të fushatës. Më me vend ai e sheh sikur fushata të ishte orientuar kah shpalosja e programeve, e jo të dominohej nga retorika përçarëse.

“Për fat të keq, gjuha e urrejtjes dhe ajo denigruese nuk është monopol i një partie të vetme. Ajo është përhapur pothuajse nga të gjitha forcat politike, duke u kthyer në një normë të papranueshme të komunikimit publik”, thotë ai.

Megjithatë, sipas tij, gjuha e urrejtjes aktualisht është më e theksuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. “Të dy këta liderë kanë përqafuar një diskurs politik agresiv, duke e ndërtuar fushatën e tyre mbi përplasjet dhe konfrontimin e drejtpërdrejtë, në vend që të ofrojnë zgjidhje për sfidat reale të vendit” – thotë Qerimi.

Profesori universitar shton se kjo sjellje e liderëve politikë reflektohet në rrjetet sociale, meqë militantët e përsërisin këtë gjuhë e madje me raste shkojnë edhe deri te kërcënimet. Andaj, sipas tij, institucionet, mediat dhe shoqëria civile duhet të bëjnë më shumë për të dënuar dhe penalizuar këtë gjuhë. “Nëse kjo tendencë vazhdon, pasojat mund të jenë të rënda për stabilitetin social dhe për besimin e qytetarëve në procesin demokratik” – shprehet ai.

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, negativitetin në fushatë e konsideron si të ‘paparë’. “Mund të themi që fushata nga partia në pushtet ka filluar me një negativitet të pakuptueshëm dhe të paparë duke shpërndarë urrejtje dhe polarizime të panevojshme. Në vend se projekteve elektorale vizionare, aty më shumë është ‘stand up’ komedi në kontekstin negativ dhe një kompeticion ku ministrat këndojnë. Do të duhej të tregoheshin projektet dhe vizioni për vitet 2015 – 2029, por për fat të keq LVV ka ngec në mentalitetin e opozitës” – deklaron Arifi.

Sipas tij, opozita megjithatë ka më tepër koncentrim te përmbajtja dhe oferta. “Partitë opozitare janë më të koncentruara në përmbajtjen dhe ofertën e tyre. Po vërehet angazhim më i madh edhe në organizimin e tubimeve që ato të jenë sa më shumë elektorale” – shton ai.

Sociologu Artan Muhaxhiri në anën tjetër thotë se gjuha e urrejtjes si “stil ekstrem” i diskursit publik ka ndikim tek kategoria e votuesve të cenueshëm, të cilët janë kryesisht dogmatikë dhe pa sens të mjaftueshëm kritik e racional të vlerësimit afatgjatë politik. Kjo kategori e votuesve,  sipas tij, shpesh janë edhe të margjinalizuar nga rrjedhat zhvillimore shoqërore.

“Kjo gjuhë shfrytëzohet me qëllim të ndërtimit të rrëfimit të thjeshtëzuar ndarës: ‘Ne dhe Ata/Ato’, ku ‘Ne’ janë personazhet pozitive, kurse ‘Ata/Ato’ negative. Suksesi i saj varet prej rrethanave sociopolitike që dominojnë në kohën e caktuar, si dhe nga shkalla e kërkesës së votuesve që të udhëhiqen prej një lideri/partie me këtë frymë ideologjike e vepruese” – deklaron Muhaxhiri.

“Policia Gjuhësore”

Sociologu Artan Muhaxhiri thotë se duhet të ketë një pajtueshmëri për definicionin e asaj që quhet ‘gjuhë e urrejtjes’. Ndonëse ka disa definicione, sipas tij, kryesisht ‘gjuhë e urrejtjes’ kuptohet kur anëtarët e një kategorie të caktuar shoqërore përçmohen në mënyrë jashtëzakonisht të rëndë identitare, dhe se përbuzja nënçmuese përmban potencial për nxitje të dhunës.

“Në fushatën aktuale për zgjedhjet e 9 shkurtit nuk është krejtësisht e qartë se cili është precizimi i detajshëm institucional i gjuhës së urrejtjes. Ka disa kritere të gjeneralizuara që mund të nënkuptojnë gjëra të ndryshme, kësisoj duke u hapur mundësi opcioneve subjektive interpretative. S’është identifikuar kthjellët vija e cila i ndan përzgjedhjet e mirëmenduara të strategjive politike prej kritereve të pashmangshme të etikës publike”, shpjegon ai.

Muhaxhiri thotë se s’bën të krijohet përshtypja e një “Policie Gjuhësore” që i përkufizon kornizat e nuancave të lirisë së shprehjes së politikanëve në një terren skajshmërisht të komplikuar me simbolika, metafora dhe alegori. “Dita e zgjedhjeve do të duhej të ishte vlerësim i votuesve kosovarë ndaj partive dhe liderëve edhe për këtë aspekt të tyre” – thotë ai.

Për Qerimin, gjuha e urrejtjes e përdorur nga politikanë nuk është e rastësishme. Në fakt, sipas tij, kjo është një strategji e mirëmenduar e partive politike për të manipuluar ndjenjat e qytetarëve dhe për të polarizuar elektoratin. “Kjo gjuhë synon të mobilizojë militantët, duke e paraqitur kundërshtarin politik si një ‘armik’ të vendit dhe të popullit. Kjo strategji, edhe pse mund të sjellë përfitime afatshkurtra për disa parti, në tërësi dëmton rëndë procesin demokratik dhe ndërton një kulturë politike të bazuar në përçarje dhe urrejtje” – shprehet Qerimi.

“Bullizimi verbal dhe sarkazmi tallës”

Gjobat e shqiptuara nga PZAP ndaj partive politike, profesor Arifi i sheh me vend, por thotë se një shoqëri normale nuk ndërtohet në këtë formë. “Dënimet janë të mëritura- ka qenë rast i rënd të krahasohet kryeministri me një diktator. Kjo është ajo që nuk duhet të kalohen në urrejtje pavarësisht nga kush bëhen. Edhe në rastin tjetër kur është dënuar opozita për të njëjtat arsye nuk mund të ndërtojmë shoqëri normale nëse elita politike shprehet në ketë formë” – deklaron Arifi.

Sociologu Muhaxhiri nga këndvështrimi i tij thotë se “qasja e këtillë e instancave që merren me procesin zgjedhor duket se më shumë ka synime parandaluese, për ta minimizuar intensitetin e përdorimit të kësaj retorike në të ardhmen”. “Këtyre ditëve ka pasur raste të bullizimit verbal dhe sarkazmit tallës – për shembull nga Kryeministri Kurti, për ç’gjë edhe është dënuar nga PZAP, që i ka konsideruar ato si ‘gjuhë të urrejtjes’. Kandidatët tjerë për kryeministër nuk janë shquar për fjalë të kësollojta” – thekson Muhaxhiri.

Qerimi në anën tjetër konsideron se përveç ‘elektrizimit’ të masës nga kjo gjuhë e urrejtjes, mund të jetë edhe efekti tjetër, që disa qytetarë të lodhen nga klima toksike dhe mos të marrin pjesë fare në zgjedhje. “Normalizimi i gjuhës së urrejtjes”, sipas tij, hap rrugën për akte të dhunës verbale apo dhe fizike. E kjo pastaj nëse nuk ndalet në kohë, mund të përshkallëzohet deri në konflikte serioze ndërmjet mbështetësve të partive të ndryshme, paralajmëron Qerimi.

“Degradimi i kulturës demokratike, ku gjuha e urrejtjes dominon diskursin publik, partitë dhe liderët politikë nuk ndihen më të detyruar të ofrojnë zgjidhje reale për problemet e vendit. Kjo çon në një degradim të skenës politike, ku gara për pushtet bazohet në sulme dhe manipulime, jo në ide dhe projekte konkrete për qytetarët” – thotë ai. Gjuha e urrejtjes, sipas tij, sjell edhe humbjen e besimit në institucione dhe sistemin demokratik në përgjithësi. Rrjedhimisht rritjen e pasigurisë dhe zhgënjimit tek populli.

Për shkak të thyerjeve të rregullave, në dhjetë ditët e para të fushatës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa u ka shqiptuar subjekteve politike gjoba në shumën prej 125 mijë euro. Bazuar në vendimet e publikuara nga ky organ, e para për nga shuma e gjobitjes është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila deri më tani është dënuar me 45 mijë euro për gjashtë raste të ndryshme. Partia Demokratike e Kosovës, brenda të njëjtës periudhë është gjobitur me 44 mijë e 500 euro për 10 raste të ndryshme. Koalicioni AAK- Nisma me 23 mijë e 500 euro për tri raste të ndryshme. Dhe, LVV është gjobitur me 6 mijë e 500 euro për dy deklarata të Kurtit, gjatë tubimeve në Pejë dhe Podujevë.