Gjuha e Kurtit ndaj LDK-së në tubimin në Pejë - PZAP-ja gjobit Vetëvendosjen

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 3 mijë euro gjobë Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak të shkeljes së Kodit për Mirësjellje për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët.

Sipas PZAP-së, kryetari i LVV-së dhe njëherësh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti ka përdorur gjuhë fyese për LDK-në, gjatë një tubimi të organizuar më 13.01.2025.

“Nuk ka sesi të mos çuditemi kur dëgjojmë nga udhëheqja e LDK-së se Policia e Kosovës, Kryeministri i Republikës, institucionet e shtetit tonë na qenkan si Serbia e Millosheviqit (krahasim i tmerrshëm, fyerje e shpifje klasike, vrer e mllef i papërmbajtshëm, e pavërtetë e madhe dhe tentim nxitjeje për rënie në grackën e tij provokuese).” – thuhet në Ankesën e LDK-së, të parashtruar në PZAP.

PZAP-ja ka pranuar pjesërisht Ankesën duke konstatuar se Kurti ka përdorur gjuhë fyese, pasi gjatë tubimit u shpreh se “’Siç e dini edhe ju vetë, LËDËKYHI (term pezhorativ) dhe PËDËKYHI janë në koalicion.’ – Parashtruesi i Ankesës i citon thëniet në vazhdim: Prandaj, kur na rastis të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të LËDËKYHIT, që thotë se po i pëlqen populli, populli ka simpati për ta, kjo mu (flet për veten Kurti) m’i përngjan asaj mizës (krahasim fyes, bullizues, nxitës e provokues), që thoshte kudo që po shkoj po më presin me duartrokitje (ironizon me gjestikulacion dhe shprehje të çuditshme dhe të pakontrolluara të fytyrës)’”.

Tutje, sipas PZAP-së, parashtruesi i Ankesës thekson se “pra, kur ata thojnë që populli po i pëlqen ata është si ajo miza që lëvdohej që njerëzit po e presin me duartrokitje. E, ju e dini shumë mirë që me ato duar që duartrokasin çfarë janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize (aludon në një krahasim të rëndë që tejkalon metaforën e kthehet në gjuhë provokuese të urrejtjes ndaj tjetrit – në këtë rast ndaj udhëheqësit të LDK-së)”.

LVV-ja e ka kundërshtuar Ankesën e LDK-së, pasi sipas tyre përshkrimi në fakt kinse i fjalëve të Albin Kurtit në Ankesë nuk qëndron.

Partia e Kurtit ka afat prej 15 ditësh, që ta paguajë gjobën.

Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta shihni në këtë vegëz.