Ilustrim

Gjuetia e paligjshme, në liqenin e Fierzës nuk bie më ‘peshk në grep’

Peshkatarët e licesuar në liqenin e Fierzës në Shqipëri, kthehen shpesh me rrjeta të zbrazëta për shkak të rënies së sasisë së peshkut në liqen, që sipas ekspertëve vjen për shkak të peshkimit të paligjshëm dhe mungesës së menaxhimit të liqenit.

Dita nis ende pa gdhirë për vëllezërit Jasim e Hysen Manga, të cilët nisen me varkën e tyre nga bregu i Liqenit të Fierzës në fshatin Ramhas për të mbledhur rrjetat e vendosura një ditë më parë në mes të liqenit, në zonën ku dikur ka qenë i vendosur Kukësi i Vjetër.

Puna zgjat disa orë, por rreth orës 9 të paradites, varka e tyre kthehet në breg me 4-5 peshq të rënë në rrjetë. Asnjë prej vëllezërve nuk e fsheh zhgënjimin.

“Peshk nuk ka. E kanë dëmtuar shumë me dinamit. Janë njerëz të papërgjegjshëm. Përveç dinamitit po përdorin edhe korrentin përmes gjeneratorëve dhe e kanë shkatërruar peshkun krejt,” thotë i revoltuar Jasim Manga, i cili peshkon prej gati gjysmë shekulli.

Shqetësimin e tyre e ndan edhe Arben Palushi, ish-punonjës i Ndërmarrjes së Peshkimit në Kukës para viteve 90’ dhe aktualisht inspektor i Turizmit dhe Mjedisit në Bashkinë e Kukësit. Palushi thotë se nga 100-120 ton peshk në vit që kapej në Fierzë para viteve ‘90, tani zihen rreth 25 ton peshk ose pesë herë më pak.

Treguesit e liqenit të Fierzës bien në kontrast me të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë të publikuara nga INSTAT, sipas së cilave peshkimi në ujërat e brendshme të vendit dhe në liqene gati u dyfishua prej vitit 2016 deri në vitin 2020.

Fierza duhej të ishte pjesë e kësaj rritje, pasi është liqeni i katërt për nga sipërfaqja në Shqipëri.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se ky aktivitet është dëmtuar nga peshkimi i paligjshëm, nga mungesa e organizimit të peshkatarëve lokalë si dhe nga mënyra e menaxhimit të liqenit të Fierzës nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, KESH.

Sfidat e menaxhimit

Liqeni i Fierzës | Foto arkivë nga : BIRN

Në shtator 2019, një vendim i Këshillit të Ministrave e shpalli liqenin e Fierzës hapësirë ujore me interes për peshkimin si dhe prezantoi një skemë bashkëmenaxhimi të liqenit mes Korporatës Elektroenergjitike, KESH dhe Organizatës lokale të Menaxhimit të Peshkimit, OMP.

Një muaj më vonë, ish-ministri i Bujqësisë, Blendi Çuçi mori pjesë në hedhjen e 160 mijë rasateve të krapit në liqen, ndërsa kryeministri Edi Rama, e cilësoi këtë një “punë për transformimin e ekonomisë rurale”.

Por ky mund të jetë rasti i fundit i hedhjes së rasateve në liqen, ndërsa OPM-ja lokale ende nuk funksionon.

Fadil Gjuta, ish-punonjës i Ndërmarrjes së Peshkimit në Kukës që nga themelimi i saj në vitin 1987 dhe aktualisht inspektor i Politikave të Peshkimit dhe Akuakulturës në Ministrinë e Bujqësisë i tha BIRN se për të rregulluar peshkimin në liqen duhet të hidheshin çdo vit rasate peshku.

Gjuta shtoi se ky proces pengohet nga mungesa e Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit, e cila krijon probleme për investime shtesë.

“Ndryshe nga OMP-ja e Shkodrës, ajo e Kukësit nuk po funksionon,” tha Gjuta.

Palushi mendon se bashkëmenaxhimin e liqenit të Fierzës e pengon edhe nga shfrytëzimi i vazhdueshëm i ujit të liqenit për të prodhuar energji elektrike nga ana e KESH.

“Krizat energjetike si pasojë e dimrave të thatë dhe mungesës së shirave kanë bërë që liqeni i Fierzës të mos stabilizohet dhe peshkatarët herë gjuajnë në liqen, herë gjuajnë në lumë nga ulje -ngritjet e Liqenit,” tha Palushi.

Palushi thotë se lëvizjet e mëdha të nivelit të ujërave për shkak të shfrytëzimit të HEC-it, dëmtojnë zinxhirin ushqimor të peshkut dhe nëse ato ndodhin mes 15 prillit dhe 15 majit, kohë e lëshimit të vezëve, kjo e dëmton edhe më shumë popullatën e peshkut.

Specialistët thonë se efektet e këtij ndryshim të nivelit të ujërave mund të normalizoheshin vetëm nëse në liqen hidhet vazhdimisht rasat, siç ndodh aktualisht në liqenin e Ulëzës dhe Shkopetit, nisur nga një marrëveshje mes kompanisë Kurum dhe peshkatarëve të zonës.

“Në liqenin e Ulzës dhe Shkopetit, kompania Kurum që ka në pronësi HEC-et, hedh çdo vit nga 100 mijë copë rasate. Hedhja e rasateve bëhet në bazë të marrëveshjes si zhdëmtim për ulje ngritjet e liqeneve nga shfrytëzimi i tyre nga Kurum. Kjo gjë nuk ndodh në Kukës me KESH-in,” tha për BIRN Ervin Ruçi, inspektor i peshkimit për qarqet e Kukësit dhe Dibrës.

Për shkak të kësaj situate, ekonomia e peshkimit në Kukës është më shumë një shfaqje nostalgjie për të shkuarën.

Arben Palushi kujton se dikur, Ndërmarrja e Peshkimit në Kukës operonte në të gjithë hapësirën e liqenit nga Skavica deri në digën e Fierzës dhe kishte mbi 5 mijë hektarë për të peshkuar.

Asokohe, sipas Palushit aty kishte edhe një repart për mirëmbajtjen dhe riparimin e rrjetave të peshkimit, kishte një anije peshkimi si dhe 26 varka, pesë prej të cilave ishin me motor.

Peshkimi i paligjshëm

Mungesa e menaxhimit dhe e një aktiviteti të mirëfilltë peshkimi në liqenin e Fierzës i ka lënë hapësirë peshkatarëve të paligjshëm, të cilët gjuajnë me eksplozivë apo me korrent.

Destan Dina peshkon prej 20 vitesh në zonën e liqenit ku derdhet Drini i Bardhë dhe zotëron gjithashtu një restorant me produkte peshku në qytetin e Kukësit. Ai ankohet se peshkatarët e paligjshëm po e dëmtojnë edhe më tej liqenin, por askush nuk vepron.

“Gjuajtja me dinamit nuk është një gjë e re. Vitet e fundit është shtuar edhe gjuajtja me korrent përmes gjeneratorëve. Dihen edhe personat që gjuajnë me dinamit e korrent, por nuk i kap askush,” tha Dina.

Sipas peshkatarit, shteti nuk ndjehet fare as për t’i këshilluar ata që përdorin mjete të paligjshme për dëmin që po sjellin. “Kemi ngritur zërin disa herë, por nuk ka asnjë reagim nga shteti,” shtoi ai.

Dina shpjegon se për të ndaluar peshkimin me eksplozivë nuk është e nevojshme të lësh roje në liqen, por mjafton të kontrollosh tregun.

“Njihet krapi që gjuhet me dinamit, pasi ka brinjët e thyera dhe ngjyrë tjetër nga ai që peshkohet me rrjetë,” tha ai. “Nuk duan, se gjuetia e paligjshme me pak punë frenohet,” shtoi peshkatari.

Drejtuesit e Inspektoratit të Peshkimit në Kukës, i cili prej një viti është bashkuar edhe me Dibrën, pretendojnë se e kanë monitoruar liqenin.

Inspektori Ervin Ruçi i tha “BIRN” se ata kishin denoncuar dy persona të kapur duke bërë peshkim të paligjshëm.

“Bashkë me Task-Forcën kemi inspektuar Liqenin e Fierzës, ku kemi denoncuar dy persona problematikë që gjuajnë në mënyrë të jashtëligjshme,” tha Ruçi.

Megjithatë, denoncimet e pretenduara nga Ruçi nuk duket se kanë shkuar shumë larg, pasi prokuroria e Kukësit i tha BIRN se nuk kishte çështje të tilla në hetim.

“Në prokurorinë e Kukësit nga policia kemi vetëm një denoncim për gjueti të paligjshme, por ai ka të bëjë me gjuetinë e kafshëve të egra, jo peshkut,” tha Hilmi Duraku, kryesekretar në Prokurorinë e Kukësit.

Peshkimi në liqenin e Fierzës është vështirësuar edhe për Emri Llukovin, një 70 vjeçar që gjuan me grep për të shtyrë kohën e lirë.

“Dalim çdo ditë herët,” tha ai, ndërsa shtoi se të shumtën e rasteve “nuk bie asnjë peshk në grep”.