Foto: Policia e Kosovës

Gjuan me armë zjarri në aheng familjar, arrestohet 63 vjeçari

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person nga Gjilani nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri në një aheng familjar.

Sipas njoftimit të Policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale një armë e llojit ‘Below TR17’ dhe disa gëzhoja të armës përkatëse.

Tutje është thënë se i arrestuari 63-vjeçar është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit është ndaluar në mbajtje për 48 orë.

Në njoftim është thënë se ai dyshohet se ka kryer veprat penal “Armëmbajtje pa leje”, “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Gjithmonë duke iu referuar njoftimit të Policisë, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan vazhdon me kampanjën vetdijesuese duke u bërë thirrje dhe apeluar tek të gjithë qytetarëve që të festojnë me zemër, jo me armë.

“Sa më pak armë, më pak viktima”, është thënë tutje.