Gjuajtje me kallashnikov në parkingun e një lokali nate në Suharekë
Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjuajtur me armë zjarri në një lokal nate në Komunën e Suharekës, ku dyshohet se 10 gëzhojat e gjetura janë shkrepur nga arma automatike kallashnikov.
Njoftimi nga Policia e Kosovës i datës 30.08.2024 bën të ditur se ngjarja ka ndodhur më datë 30.08.2024 rreth orës 02:00.
Bëhet e ditur se dhjetë gëzhoja që dyshohet të jenë shkrepur nga arma automatike AK-47 janë gjetur në parkingun e një lokalit hotelier.
Si pasoj e gjuajtjes me armë zjarri një person dyshohet se është goditur në këmbë.
I njëjti është dërguar me urgjencë në qendrën emergjente në Prizren, ndërsa edhe gjashtë persona tjerë dyshohet të jenë lënduar nga gjësende të forta, dhe xhamat e thyer të dritareve të lokalit ku ishin duke qëndruar.
Sipas raportit të mjekut personat e sjellur kanë lëndime të lehta trupore.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është bërë bastisja e shtëpisë dhe lokaleve përcjellëse të njërit nga të dyshimtit ku i njëjti nuk është hasur në shtëpi dhe i njëjti është në kërkim policor, gjatë bastisjes nuk është gjetur diçka e dyshimtë.
Rasti në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe Sektorin e Hetimeve Rajonale në Prizren vazhdon të hetohet.
Me vendim të prokurorit rasti cilësohet ‘’Vrasje në tentativë”.