Ilustrim

Gjuajtje me armë zjarri në aheng familjar në Kamenicë, lëndohet një person

Një person ka pësuar lëndime si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një aheng familjar, të dielën më 28.07.2024 në Kamenicë, raporton Policia e Kosovës.

I lënduari është dërguar në Qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal të Gjilanit pas lëndimeve të lehta trupore që ka marrë, por i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.

Lidhur me rastin, Policia njofton se është arrestuar një person dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari i këtij rasti, mashkull kosovar, i vitit të lindjes 1971 është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritët kallëzim penal për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’- thuhet në raportin e Policisë.

Ndërkaq, në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur dhe konfiskuar 14 gëzhoja të armës si dhe dy armë zjarri të kalibrit 9 mm, të cilat Policia thotë se do të përdoren si provë materiale për gjykatën.

Tutje, Polica e Kosovës u ka bërë apel qytetarëve që mos të përdorin armët në ahengjet familjare.

“Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan me që jemi në sezonin kur jemi të bashkuar për të ndarë kohë të mirë dhe gëzime familjare, u bënë apel të gjithë qytetarëve për mos përdorim të armëve gjatë këtyre evenimenteve. Në të shkuarën ka pasur raste kur përdorimi i armëve në këso raste ka sjellë pasoja tragjike. Ne duhet të marrim përgjegjësinë tonë për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe paqësor për të gjithë, andaj ,,Festoni me zemër, jo me armë’’- thuhet ndër të tjera në komunikatë.