Gjuajtje me armë në Batllavë, arrestohen 5 persona

Policia e Kosovës sot ka arrestuar 5 persona në Batllavë të Podujevës, pasi dyshohet se ka pasur gjuajtje me armë.

Sipas Policisë, rasti është raportuar në ora 17:00 dhe njësitë policore të Podujevës kanë bërë arrestimin e personave të dyshuar.

“Sot rreth orës 17:00, kemi pranuar informatën për gjuajtje me armë në fshatin Batllavë të Podujevës.  Ka qenë reagimi i shpejtë i njësiteve policore të Podujevës, ai që ka rezultuar me ndalimin dhe arrestimin e 5 personave të dyshuar, të cilët prej dy veturave të ndryshme, dyshohet se kanë shtënë në ajër dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia thekson se veturat e personave të dyshuar janë ndaluar në fshatin Lluzhan, ku nga ana e Policisë janë gjetë dhe sekuestruar një armë automatike AK-47 me 9 fishekë, një pistoletë e tipit Ekol -T, me 5 fishekë si dhe një shkop.

Më tej theksohet se personat e arrestuar ngarkohen me veprat shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa ndaj tyre po kryhen procedurat e nevojshme policore në koordinim me prokurorin e shtetit.