Të shtëna me armë zjarri në Aktash, 03.08.2024 Foto: Adelinë Ahmeti/ KALLXO.com
Gjuajtja me armë në 'Aktash', i dyshuari ende në arrati
Policia e Kosovës ka njoftuar se i dyshuari për gjuajtën me armë zjarri që ka ndodhur më 03.09.2024 në lagjen “Aktash” në Prishtinë, ndodhet në arrati.
Sipas Policisë, i dyshuari për motive të panjohura e ka sulmuar një person dhe kishte përdorur edhe armën.
Në njoftim të Policisë thuhet se ankuesi ka pranuar tretman mjekësor.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se i dyshuari kosovar për motive të panjohura e ka sulmuar dhe i njëjti kishte përdorur edhe armën. Ankuesi ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari ndodhet në arrati. Rasti është duke u hetuar”- ka njoftuar Policia.
Lidhur me rastin, KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe është në pritje të përgjigjes.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 03.09.2024 rreth orës 14:19 në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë.
KALLXO.com mori vesh jo zyrtarisht se ngjarja lidhet me një përleshje mes dy personave për çështje të trafikut, e ku pastaj është shkrepur edhe arma.
Në pamjet e KALLXO.com nga vendi i ngjarjes shihet edhe një gëzhojë plumbi.