Gjuajti në dasmë me armë zjarri, arrestohet i dyshuari në Gjilan

Një burrë i moshës rreth 53-vjeçare është arrestuar në Gjilan nën dyshimin se gjuajti me armë zjarri në një dasmë.

Sipas njoftimit të Policisë, gjuajtja me armë u bë sot, më 28.07.2024, në një lagje të qytetit të Gjilanit.

Policia tha se nga i dyshuari janë konfiskuar një armë e llojit “ES Ecol” e kalibrit 9mm dhe 11 gëzhoja të kalibrit 9mm.

Në njoftim është thënë se i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin Policor Gjilan ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Tutje u tha se i dyshuari me urdhër të prokurorit të shteti është ndalur në mbajtje për 48 orë dhe do të ngritët kallëzim penal për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan u bëri apel të gjithë qytetarëve për mos përdorim të armëve gjatë ahengjeve familjare.

“Në të shkuarën ka pasur raste kur përdorimi i armëve në këso raste ka sjellë pasoja tragjike” – u shtua tutje.

Po ashtu është thënë se qytetarët duhet të marrim përgjegjësinë e tyre për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe paqësor për të gjithë.

Policia bëri thirrje që të festohet me zemër, jo me armë.