Muhamet Gjoka - Drejtor i Arsimit në Drenas

Gjoka: Është shqetësuese mungesa e gatishmërisë së Qeverisë për dialog

Muhamet Gjoka, drejtor i Arsimit në Drenas, ka thënë se janë për fillim të procesit mësimor në shkollat e Kosovës.

Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ shtoi se është shqetësuese mungesa e gatishmërisë së Qeverisë për dialog.

“Ne kemi qenë për fillim të procesit mësimor më 1 shtator dhe jemi që të kthehemi sa më shpejt në procesin mësimor edhe tash. Njëkohësisht kemi respektuar edhe të drejtën për grevë të garantuar me ligj, për neve është shqetësuese mungesa e gatishmërisë së Qeverisë për dialog” – theksoi Gjoka.

Ai shtoi se ka qenë në shumë grupe punuese për çështje të caktuara në arsim, derisa kjo për 100 eurot është kërkesë e re.

“Ne kemi qenë në grupe punuese konkretisht për çështje të caktuara në arsim, në këtë rast si shembull për mësimdhënësit me sëmundje kronike. Kjo për 100 euro shtesë është kërkesë e re” – shtoi ai.

Greva në arsim dhe në sektorë të tjerë ka filluar më 25 gusht

Sindikalistët po kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro deri sa të hyjë në fuqi Ligji për Pagat, reformë në skemën pensionale dhe implementim të sigurimit shëndetësor.

Qeveria dhe sindikatat deri më sot nuk kanë arritur të bijnë dakord për ndërprerje të grevës dhe gjetje të një zgjidhje të pranueshme për dy palët.