Gjobitet qytetari që tentoi të heqë pengesën të shtegu i çiklizmit

Inspeksioni komunal i kryeqytetit ka gjobitur qytetarin i cili shihej teksa mundohej të heqë pengesat e vëna në shtegun e çiklizmit me anë të një kazme.

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka njoftuar se për shkak të tentativës së tij, ai është gjobitur me 100 euro.

“Pengesa e verdhë, nuk u largua”, ka shkruar shkurt në rrjetin social “Facebook”, duke bashkangjitur dokumentacionin e gjobës.

Një qytetar është xhiruar teksa mundohet  të largojë pengesat e vëna në shtegun e çiklizmit me anë të një kazme.

Këto pamje janë postuar edhe nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në rrjetin Facebook.

Kryetari Ahmeti ka kujtuar se kjo  është vepër penale.

“Pse mor vlla? Çka po të pengon? Goxha ndërmarrje me gjet kazmën e me u mundu me prish diçka. A pe sheh qe je në kamerë tash? A e din që është vepër penale kjo?,” ka shkruar Ahmeti.

Shtegu i çiklizmit është keqpërdorur edhe nga makina të cilat e kanë shfrytëzuar si parkim këtë pjesë.

Komuna ka në plan që të shtrojë rreth 35 km shtigje çiklizmi në Prishtinë dhe përreth.