Gjobitet me 2,000 euro qendra e kurseve në Skenderaj, organizoi ekskursion me nxënës

Drejtoria e Inspektoratit e Komunës së Skenderajt ka gjobitur sot me 2,000 euro një qendër të kurseve, e cila kishte organizuar ekskursion me nxënës.

“Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Skenderajt me të marrë informatën nga mjetet e informimit që njëra nga qendrat e kurseve të gjuhëve të huaja, ka organizuar ekskursion për nxënësit që ndjekin kursin aty, në bashkëpunim me zyrtarë policor kanë bërë inspektimin në zyrat e kësaj qendre”, thuhet në një njoftim për media.

Në njoftim theksohet se pas këtij inspektimi është konstatuar se menaxhmenti i kësaj qendre ka organizuar udhëtim me qëllim rekreacioni me afërsisht 100 nxënës dhe, sipas Komunës, me këtë veprim kanë shkelur Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19, me saktë kanë renë në kundërshtim me nenin 25 të Ligjit Nr/07/L-006.

“Me këtë rast Inspektorati Komunal, subjektit në fjalë i ka shqiptuar gjobën me masë ndëshkimore në vlerë prej 2000 euro. Komuna e Skenderajt apelon gjithë qytetarët e Skenderajt që të respektojnë vendimet si dhe ligjet që kanë dalë nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e pandemisë, në mënyrë që sa me shpejt të bëhet tejkalimi i kësaj situate”, thuhet më tej në njoftim.

.