Gjobitet me 100 euro prishtinasi, pasi hodhi asfalt skaj rrugës në Skenderaj

Me 100 euro gjobë mandatore është gjobitur një person që ka hedhur mbeturina të ngurta (asfalt) në natyrë, skaj rrugës në Klinë të Epërme të Skenderajt.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari në rrjetin social “Facebook”.

Siç njofton kryetari, ndotësi në këtë rast nga Prishtina, kishte hedhur mbeturinat skaj rrugës dhe falë efikasitetit të Inspektoratit, pasi është zënë në flagrancë është gjobitur sipas legjislacionit në fuqi.

“Të dashur qytetarë, për të pasur një mjedis të pastër dhe rrjedhimit jetë të shëndetshme nevojitet që secili nga ne të ruajmë mjedisin tonë ku jetojmë e veprojmë dhe t’i paraqesim tek organet përgjegjëse të gjitha rastet e shkeljeve mjedisore. Vetëm kështu, së bashku mund të arrijmë që të kemi një qytet, fshat apo lagje të pastër”, ka shkruar Jashari, të martën.