Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjobiten tre persona pasi në protesten e djeshme thyen masat anti-COVID

Tre organizatorë të protestës së djeshme para Qeverisë janë gjobitur pasi nuk respektuan masat kundër COVID-19.

Gjatë ditës se diele, disa qytetarë janë mbledhur para Qeverisë së Kosovës për të kundërshtuar vaksinimin dhe mbajtjen e maskës në mënyrë të detyrueshme.

Në atë tubim, ata u panë duke mos mbajtur maskë e as duke respektuar distancën sociale.

Lidhur më këtë nga Policia e rajonit të Prishtinës kanë thënë për KALLXO.com se janë gjobitur tre persona, përkatësisht organizatorët.

“Me datën 12.09.2021 janë shqiptuar tri gjoba ndaj organizatorëve të protestës në Sheshin Skenderbeu për mos respektim të vendimit të Qeverisë Covid-19”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Me vendim të Qeverisë, lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në 50 persona (publiku). Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1.5 metër në mes të personave.