Ilustrim

Policia thotë se nuk mund ti shqiptoj gjobat për lëvizjet gjatë masave të COVID-19 ato shqiptohen nga inspektorët

Personat që veprojnë në kundërshtim me masat e parapara dhe të vendosura nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së coronavirus në Kosovë do të dënohen me gjoba të ndryshme.

Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, sipas ligjit, si kundërvajtje administrative personat fizik dënohen me gjobë nga 1 mijë deri në 2 mijë euro. Personat juridik nga 3 mijë deri në 8 mijë euro ndërsa personi përgjegjës i personit juridik nga 500 euro deri në 1 mijë e 500 euro.

Por këto gjoba nuk shqiptohen nga ana e Policisë së Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

I njëjti ka shpjeguar se policia nuk shqipton gjoba, vetëm asiston në raste të ndryshme dhe inicon raste në bazë të veprave penale.

“Sipas dispozitave, gjobat i shqiptojnë inspektorët sanitarë që mbështeten dhe asistohen nga policia por gjobat shqiptohen nga inspektorët. Policia vetëm në rast se ka ndonjë kundërvajtje më të madhe, inicon rastet, pra hap rastet përndryshe nuk kemi mandat që të lëshojmë gjoba në këtë rastin që po pyesni ju”, shpjegoi drejtori Qalaj për KALLXO.com.

Vetëm gjatë ditës së djeshme kur edhe kanë filluar të ndërmerren masat e reja të vendosura nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, në Policinë e Kosovës janë regjistruar gjithsej 7 raste që janë inicuar për shkak të mosveprimit sipas dispozitave shëndetësore gjatë pandemisë.

Në këtë rast, Policia e Kosovës, inicon rastet dhe interviston të dyshuarit e më pas rasti kalon në Prokurorinë kompetente, këta të fundit vendosin për vazhdimin e procedurës apo lirimin e të dyshuarve.

Në tetë rajone të ndryshme dhe në Departamentin e Kufirit sipas raportit ditor të policisë janë inicuar 7 raste pra ndaj 30 personave.

Rastet e inicuara janë 3 në Prishtinë ku kanë qenë të përfshirë shtatë persona, 2 raste në Prizren ndaj 9 personave, dy raste të inicuara në Gjakovë ndaj 14 personave.

Policia e Kosovës që nga 24 marsi është duke zbatuar vendimet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me masat e ndërmarra nga qeveria e Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e coronavirus në Kosovë.

Aktualisht në Kosovë janë 423 raste të konvifmuara me coronavirus. Nga ky numër i të infektuarish, 71 persona janë shëruar plotësisht ndërsa janë regjistruar edhe 9 viktima.

Vendimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë për masat e reja kundër COVID-19