Gjoba për mjetet lundruese që nuk respektojnë ligjin në detet e Shqipërisë
Policia e Shtetit e Shqipërisë, saktësisht Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare, përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore kanë kryer kontrolle përgjatë javës.
Sipas një njoftimi për media, si rezultat i kontrolleve në kuadër të operacionit “Siguria Detare”, gjatë kësaj jave nga Ksamili në Velipojë janë bllokuar 29 mjete lundruese.
Policia tha se mjetet e bllokuara janë 17 jet ski, 10 skafe dhe 2 gomone, ku 21 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë, gjashtë nga Durrësi në Shëngjin dhe dy mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë.
Tutje u në komunikatë u tha se 11 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve.
“Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative 100,000 deri në 120,000 lekë të rinj” – tha Policia e Shtetit.
Tutje u tha se drejtuesit e 18 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative 10,000 lekë për mungesë dokumentacioni.
Gjithashtu u njoftua se po gjatë kësaj jave, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare iu kanë dhënë ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 13 raste në hapësirën detare nga Ksamili në Velipojë, në shumicën e rasteve ju rrezikohej seriozisht jeta për shkak të prishjes së mjeteve lundruese apo duke mos u kthyer dot në breg për shkak të dallgëve.
“Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese të zbatojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë për pushuesit, rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit, si dhe të tregohen vigjilentë gjatë lundrimeve” – shtohet tutje në njoftim.
Gjithashtu është thënë se Policia Kufitare fton pushuesit të denoncojnë çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë detare apo të masave të sigurisë gjatë udhëtimeve turistike në zonat bregdetare, liqenore dhe lumore, duke ju garantuar reagim të menjëhershëm.