
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
GJNP-ja lëshon fletarrestim për Netanyahun, ministrin e tij dhe një komandant të Hamasit
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar fletarrestime për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, ish-ministrin izraeli të Mbrojtjes, Yoav Gallantin, si dhe komandantin ushtarak të “Hamasit”, Mohammed Deifin, ka raportuar BBC më 21.11.2024.
Në deklaratë thuhet se gjykata ka hedhur poshtë apelimin e Izraelit ndaj juridiksionit të gjykatës dhe kishte lëshuar urdhër për Netanyahun dhe Gallantin.
Një urdhër për arrestim është lëshuar gjithashtu për zyrtarin e Hamasit, Mohammed Deifin, megjithëse ushtria izraelite ka thënë se ai u vra në një sulm ajror në Gaza në korrik.
Gjykatësit thonë se gjetën arsye racionale se të tre burrat mbanin “përgjegjësi penale” për krime të dyshuara të luftës dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës midis Izraelit dhe “Hamasit”. Si Izraeli ashtu edhe Hamasi i kanë hedhur poshtë akuzat.
Organizata “Human Rights Watch” publikoi më 14.11.2024 një raport që akuzon Izraelin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Sipas saj, dëbimi i detyruar i popullsisë palestineze në Gazë ishte i gjerë, sistematik dhe pjesë e politikës shtetërore të Izraelit. Zyrtarët izraelitë ende nuk kanë komentuar rreth raportit, por në të kaluarën kanë thënë se operacionet e tyre ushtarake janë në përputhje me ligjet ndërkombëtare.
Organizata “Human Rights Watch” në një raport të publikuar të enjten thotë se përmes politikës së dëbimit dhe zhvendosjes së civilëve në Gazë, autoritetet izraelite po “kryejnë krimin e luftës të dëbimit të detyruar” dhe se këto veprime “duket se përputhen me përkufizimin e spastrimit etnik” në pjesët e Rripit të Gazës ku palestinezët nuk do të mund të kthehen.
“’Human Rights Watch’ arrin në përfundim se dëbimi i detyruar ka ndodhur gjithandej dhe provat tregojnë që ishte sistematik dhe pjesë e politikës shtetërore. Veprime të tilla përbëjnë krim kundër njerëzimit”- thuhet në raport.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com