
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Gjini shpreh ngushëllime për familjet e fëmijëve që vdiqën tragjikisht mbrëmë në Gjakovë
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka shprehur ngushëllime për familjet e tre fëmijëve që mbrëmë vdiqën tragjikisht në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.
Përmes një postimi në Facebook, Gjini ka thënë se është i tronditur nga tragjedia.
“Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet. Nuk ka fjalë që e shprehin dhimbjen. Le të bëjmë krejt çka mundemi të jemi me familjet në këto çaste të rënda” – ka shkruar Gjini.
Tre persona të mitur kanë gjetur vdekjen dje me 01.02.2025 në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, pasi që pllaka e një shtëpie të pabanuar, ku ishin duke qëndruar, është shembur.
Drejtori i Policisë për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta ka thënë se rreth orës 23:00, të datës 01.02.2025 janë informuar nga bashkëfshatarët për gjetjen e një trupi të pajetë brenda një shtëpie.
“Të njëjtit kanë njoftuar se fëmija nuk ka qenë vetëm aty, e kanë parë edhe me fëmijë të tjerë dhe kur kanë arritur edhe ekipet e Policisë, emergjenca kanë arritur t’i gjejnë edhe dy trupa të dy fëmijëve të tjerë. Deri më tani i kemi tre trupa të pajetë, janë të tre fëmijëve”- tha Graishta.