Gjini i AAK-së: Gjakova nuk flet tinëz me askënd, as me Radoiçiqin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partnerët e saj të koalicionit më 13.01.2025 kanë mbajtur tubimi zgjedhor në qytetin e Gjakovës.

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, njëherazi kryetar i Komunës së Gjakovës, ka kritikuar kandidatin e LVV-së për kryeministër, Albin Kurtin.

“Gjakova nuk flet tinëz, as me Radoiçiqin as me kurrkënd. Kur flasin tinëz, ata flasin në emër të Kurtit, se ai fshihet. I shtie të tjerët me folë. Por, Gjakova ka folë qysh është dashur, me gjashtë brigada edhe më 1998 edhe më 1999, edhe sot me këdo që flasin, edhe me armiqtë tanë, flasim në dritë, por kurrë nuk flasim për diçka që nuk është në interes të Kosovës”- tha Gjini.

Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, deklaroi se Kurti e ka ndalur ndërtimin e rrugës për Gjakovë.

Ndërsa përsëriti zotimin për anëtarësim në NATO.

“Punën e parë që e bëri Kurti – e ndali rrugën deri në Gjakovë që e kishim filluar me ministrin Lekaj. Ju siguroj që gjashtë muaj ka me u kry rruga që vjen nga Dollci. Do ta bëjmë edhe kampusin universitar. Krejt bota është kah punon me mbërri sigurinë e madhe. Me anëtarësim në NATO e mbërrijmë edhe ne, për ketë duhet me ndërru qeverinë”- u shpreh Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se janë bashkuar të gjitha gjeneratat në këtë koalicion për ta bërë Kosovën fituese.

AAK-ja bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30, dhe Listën Ideal më 12.01.2025 e hapën zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 09.02.2025 me një tubim në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.