Foto: KALLXO.com

Gjini e Kusari Lila përplasen me njëri-tjetrin se 'kush kah ecë më shumë'

Në Debat Pernime, kandidati për kryetar të Gjakovë dhe kryetari aktual nga AAK-ja Ardian Gjini ka replikuar me kandidaten e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Kandidati Gjini ka thënë se tualetet në Qendrat e Mjekësisë Familjare i ka gjetur të papërdorshme.

“Janë rinovuar të gjitha qendrat në këto katër vjet sepse QKMF-ja ishin të papërdorshme në kohën e Kusarit”, tha ai.

Kurse, Kusari-Lila tha se në QKMF-në në Gjakovë nuk ka pranim teknik.

“Është e pavërtetë. QKMF-ja është ndërtuar është projekt i cili është nënshkruar mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komunës së Gjakovës në vitin 2016, z. Gjini e ka trashëguar ndërsa e ka lëshuar në punë pa pranim teknik”, tha ajo.

Tutje, Kusari tha se Ardian Gjini nuk ecë në Gjakovë për ta ditur gjendjen nëpër qendra mjekësore, kurse kundërpërgjigja e Gjinit ishte se ai “ nuk ecë në Gërmi të Prishtinës”.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjakovës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Gjakovës: Arbënesha Kuqi nga PDK; Ardian Gjini nga AAK; Fazli Hoxha nga Nisma Socialdemokrate; Ferdinand Kolaj nga PShDK; Mimoza Kusari Lila nga LVV dhe Teki Shala nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Gjakovës: Genta Domi Hoxha nga LDK; Lirianda Dahsyla nga PDK; Nita Efendia Brovina nga AAK; Saranda Alimusaj nga Nisma Socialdemokrate; Time Hasani nga LVV dhe Valerije Kola nga PShDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.