Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Planet dhe negociata për koalicione në zgjedhjet e Gjakovës

Kandidatët për kryetar/e të Gjakovës që shkojnë në balotazh më 14 nëntor, ende nuk kanë vendosur për koalicione të mundshme.

Kandidati për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë në ‘DebatPernime’ se nuk kanë arritur të konkretizojnë diçka nga bisedimet që kanë pasur me partitë e tjera politike që kanë garuar në zgjedhje.

“Kam biseduar me tri partitë relevante tjera. Nuk kemi arritur që të konkretizojmë diçka. Kemi përafrim, por nuk ka arritje të ndonjë koalicioni. Kam biseduar me tri partitë me radhë, LDK-në, PDK-në dhe Partinë Shqiptare Demokristiane”, tha ai.

Edhe kandidatja për kryetare të Gjakovës Mimoza Kusari – Lila nga Lëvizja Vetëvendosje, shtoi se nuk kanë arritur marrëveshje koalicioni.

“Jo s’kemi arritur marrëveshje, jemi në faza të  diskutimit, edhe ne më tepër jemi të fokusuar në zgjimin e elektoratit të fjetur. Në Gjakovë në raundin e parë ka pasur mbi 3 mijë votues që nuk kanë marrë pjesë fare në votim, krahasuar me të njëjtën periudhë në zgjedhjet e kaluara lokale. Natyrisht edhe bashkëbisedimi në përafrim të programit apo mundësive të bashkëpunimit.

Ajo shtoi se është ithtare të respektimit të vullnetit të elektoratit të të gjitha partive.

“Kjo sepse në momentin që nënshkruhet koalicioni nuk është se qytetarët janë robotë dhe të votojnë sikur i udhëzon partia, duhet të shihet disponimi i mirëfilltë”, tha Kusari-Lila.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjakovës diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në ‘DebatPernime’ janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Gjakovë: Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Mimoza Kusari – Lila nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, kandidati i AAK-së  për kryetar të Gjakovës Ardian Gjini në raunadin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor ka marrë 18 mijë e  973 vota apo 45.76 për qind. Kurse kandidatja e LVV-së Mimoza Kusari – Lila ka siguruar 15 mijë e 426 vota apo  37.20 për qind.

Debati transmetohet nga or 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.