Gjini: AAK kërkon rishikim të dialogut si dhe njohje të ndërsjellë

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini pas mbledhjes së strukturave të partisë, ka thënë se AAK dëshiron që të rishikohet procesi i dialogut me Serbinë.

“Ne mendojmë që dialogun si proces duhet ta shohim edhe një herë, aleanca do të insistojë që disa elemente qenësore të dialogut të shihen edhe një herë, për shkak që do të kemi edhe takime të tjera”, tha Gjini.

Sipas Gjinit, dialogu me Serbinë duhet të bëhet për njohje të ndërsjellë dhe kjo duhet të jetë pikë në diskutime.

“Pavarësisht që ne kemi kërkuar që të arrihet edhe më shumë në dialog, ne e kemi dit që do të jetë si pikë njohja e ndërsjellë, pikë e cila është hekë dhe është qenësore”, tha ai.

Gjini insistoi se ‘Kosova duhet të përgatitet edhe më mirë për negociata sesa qe ka qenë deri tash’.

I pyetur nëse është diskutuar për largim nga koalicioni qeverisës, nënkryetari i AAK-së theksoi se në këtë takim është diskutuar për dialogun, mirëpo nuk mohoi që ka pasur anëtarë që kanë përmendur mundësinë e largimit nga koalicioni qeverisës.

“Jo në këtë fazë, e vetmja pikë që mundet me qenë diskutabile në koalicion me LDK-në është dialogu. Aleanca nuk ka diskutuar për dalje, edhe pse kanë pas anëtar që kanë diskutuar që nëse dialogu nuk prodhon rezultatet të cilat ne i presim edhe munde të ketë veprime të tilla, mirëpo jo nuk është diskutuar”, tha ai.

Diskutimi i Ujmanit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ka bërë që partia e Ramush Haradinajt të kërcënojë me largim nga koalicioni qeverisës i udhëhequr nga LDK-ja.