Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjini: AAK është që të mos mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë pa një marrëveshje mes dy shteteve

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili njëkohësisht është dhe kryetar i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në emisionin “Kallxo Përnime” tha se AAK është kundër mbajtës së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Sipas Gjinit, që t’u lejohet qytetarëve serbë të Kosovës që të votojnë për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë do duhej që mes Kosovës dhe Serbisë të ketë një marrëveshje të pastër.

“Edhe ne në Aleancë dëshirojmë që të mos mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, të paktën pa një marrëveshje të pastër me Serbinë”, është shprehur i pari i Gjakovës në “Kallxo Përnime”.

Zgjedhjet në Serbi do të mbahen më 3 prill. Mirëpo është hera e parë që zgjedhje të tilla nuk organizohen në territorin e Kosovës.

Autoritetet serbe kanë kërkuar që edhe në Kosovë të mbahen zgjedhjet  por kryeministri Albin Kurti ka thënë se për këtë duhet të ketë një marrëveshje mes dy vendeve.

Lidhur me ketë vendim, Gjini nga AAK ka thënë se duhet të kemi parasysh që mund të ketë pasoja pozitive dhe negative. Madje ai ka shtuar se në raste kur merren vendime të tilla do duhej të ishin të sterilizuara nga popullzimi pasi pasojat nuk mund të dihen.

“Kryeministri mundet me pasë më shumë informacione se ne këtu që jemi dhe duhet me i marrë përgjegjësitë për vendimet që i merr. Diçka duhet me thanë, në kushtet normale kur merren këto vendime duhet të peshohen të gjitha efektet, edhe ato pozitive edhe ato negative. Vendimet e këtilla duhet të jenë të sterilizuara nga popullzimi pasi pasojat nuk munden me u ditë”, është shprehur Gjini.

Tutje ai ka shtuar se për marrjen e vendimeve të tilla dhe për pasojat pasuese do duhej që dikush të tregonte se çfarë mund të ndodhë.

“Edhe unë personalisht edhe Aleanca kemi tregu që nuk bën me u mbajtë zgjedhjet pa një marrëveshje me Serbinë, mirëpo dikush e ka për detyrë me na tregu cilat munden me qenë pasojat nëse një vendim i tillë merret ose nëse një vendim i tillë nuk merret”, tha nënkryetari i AAK-së.

Tutje ai ka thënë se nuk është diskutuar me AAK-në si opozitë për ndonjë vendim të tillë.

Sipas Gjinit nëse nuk ka koordinim me bashkësinë ndërkombëtare siç, sipas tij, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe shtetet e QUINT-it rezultatet e Kosovës, sipas tij, do të jenë shumë më të zorshme.

“Unë po mendoj që kryeministri Kurti i ka parasysh këto çështje dhe se populli i Kosovës i ka parasysh këto çështje. Ushtrimi i sovranitetit në mënyrën qysh dikush pretendon është utopi totale”, tha ai.

Gjini më pas ka komentuar edhe emrin e partisë qeverisëse në vend e cila udhëhiqet nga kryeministri i vendit, Lëvizja Vetëvendosje.

“Në fakt fjala Vetëvendosje është njëfarë paradoksi. Kjo pasi populli i Kosovës kishte ‘vetëvendosur’ një herë në 1999”, ka thënë Gjini.

Më pas, Gjini ka thënë se Qeveria e Kosovës do duhej të synonte disa gjëra, siç janë konsensusi vendor, informimi i ndërsjellët e të tjera, që të këtë sukses në arenën ndërkombëtare.

“Nëse Qeveria dëshiron me pasë sukses në arenën ndërkombëtare, sidomos në pjesën e bisedimeve me Serbinë detyrimisht duhet të paktën me synu me kriju konsensus vendor ose të paktën me mbajtë format të informimit të ndërsjellë ose me qenë shumë i sigurt që ajo që po bën është në të mirë të Kosovës”, ka thënë Gjini në “Kallxo Përnime”.

Kujtojmë se më 23 mars ambasadorët e shteteve të QUINT-it, ShBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani dhe Itali përmes një deklarate të përbashkët kanë thënë se Kosova duhet të krijojë kushte që qytetarët e Serbisë të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit në mënyrë që të shmangen incidente të mundshme.

Sipas deklaratës së lëshuar, shtetet e QUINT-it kanë shprehur keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë gjetur marrëveshje për të garantuar të drejtën e votës për qytetarët serbë në zgjedhjet e 3 prillit.

Për më tepër, në reagim thuhet se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve është në kundërshtim me vlerat dhe parimet e shteteve të QUINT-it.

Më 3 prill 2022, Serbia mban zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare për të cilat zyrtarët e lartë serbë kërkuan që ato të organizohen edhe brenda territorit të Kosovës.

Kërkesa e tyre ra në vesh të shurdhër pasi me këtë nuk u pajtuan krerët e institucioneve kosovare. Kryeministri, Albin Kurti, tha se për këtë duhet të ketë një marrëveshje mes dy vendeve.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian njoftoi se shteti i Kosovës ka refuzuar një propozim të vendeve të QUINT-it.

Para zgjedhjeve në Serbi, presidenti Vuçiq ka thirrur një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri të vendit, janë parë në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka marrë informacionet dhe është njoftuar zyrtarisht për pjesëmarrjen e eprorëve të Policisë së Kosovës në pjesën e veriut të vendit në takimin të cilin e thirri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.