Gjimnazistët e ‘Ahmet Gashit’ të hënën fillojnë mësimin në shkollat e caktuara nga Komuna e Prishtinës

Nxënësit e gjimnazit të shkencave shoqërore “Ahmet Gashi” në Prishtinë, të hënën do të fillojnë mësimin për vitin e ri shkollor, në objektet e shkollave që i ka caktuar Komuna e Prishtinës.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i këtij gjimnazi, Ilmi Reçica.

Ai ka thënë se kështu janë marrë vesh me kryetarin Shpend Ahmeti.

“Jemi marrë vesh me kryetarin Shpend Ahmeti dhe me drejtoreshën e Arsimit, Shpresa Shala, që mësimi të fillojë, por me garancione që të ndërtohet këtu shkollë, dhe të formohet një komision i pavarur që të rivlerësohet edhe njëherë gjendja, se a ka nevojë që shkolla aktuale vetëm të rinovohet nëse jo  të ndërtohet komplet shkollë e re në truallin ekzistues, kështu jemi marrë vesh”, ka thënë Reçica.

Në një konferencë për media, ditën e djeshme drejtoresha e Arsimit, Shpresa Shala tha se Komuna ka marrë vendim që nxënësit e klasave të X-ta të gjimnazit ‘Ahmet Gashi’ të zhvendosen në shkollën fillore ‘Emin Duraku’, ndërsa ata të klasëve të XI-ta dhe XII-ta, të vazhdojnë mësimin në gjimnazin ‘Sami Frashëri’.

Drejtori Reçica tha se për herë të parë në muajin gusht e kanë kuptuar që duhet ta lëshojnë objektin e shkollës.

“Për lëshimin e shkollës për herë të parë e kemi kuptu nga data 14 gusht, atëherë na është thënë se duhet me lëshu shkolla”, ka thënë Reçica.

Ai tha se në muajin korrik kanë pasur informata se po kryhen studime për të konstatuar rrezikshmërinë e objektit të shkollës, ndërsa për protestën e paralajmëruar për sot që nuk u mbajt, tha se nuk ka informatë pasi atë mund ta kenë thirrur nxënësit në rrjetet sociale.

Ditën e djeshme nxënësit dhe arsimtarët e këtij gjimnazi mbajtën protestë para Komunës së Prishtinës, ku kërkuan takim me kryetarin Shpend Ahmeti, për të marrë garancë që nëse objekti i shkollës së tyre rrëzohet, të mos keqpërdoret për ndërtime të tjera, por vetëm për objektin e ri.

Në anën tjetër, asamblisti i PSD-së, Adrian Berisha, akuzoi se Lëvizja Vetëvendosje qëndron prapa protestës dhe se po manipulon me nxënësit e shkollës.

VIDEO – PSD akuzon Vetëvendosjen se po i manipulon nxënësit e gjimnazit ‘të rrezikshëm’ në Prishtinë

 

Ndërsa Egzon Azemi nga Lëvizja Vetëvendosje iu përgjigj Berishës, duke thënë se të gjithë asamblistët kanë qenë të ftuar për të marrë pjesë në protestë dhe si anëtar i Kuvendit Komunal të Prishtinës, e ka për detyrë të merret me pakënaqësitë e qytetarëve dhe t’i adresojë ato.

Vetëvendosja i përgjigjet akuzave të PSD se qëndrojnë prapa protestës së gjimnazit ‘Ahmet Gashi’

.