Gjimnazi 'Sami Frashëri' në Prishtinë bëhet me drejtor të ri

Pas një procesi të gjatë e të zvarritur, gjimnazi “Sami Frashëri” në kryeqytet është bërë me drejtor të ri. Sipas njoftimit të Komunës të publikuar më 28 dhjetor 2022 , Betim Sylejmani, është kandidati më i suksesshëm.

Te vendimi i publikuar, i cili e mban datën 3 dhjetor 2022, Betim Sylejmani është poentuar me 87.66 pikë. Pas tij, është renditur Mimoza Gjaka – Bllacaku e cila deri tani ka ushtruar detyrën e drejtoreshës në këtë institucion. Gjaka – Bllacaku ka marrë 78.66 pikë.

Historiku i Konkursit 

Komuna e Prishtinës ka hapur konkurs me datën 2 tetor 2022 për pozita të drejtorëve në shkollat e mesme: “Hoxhë Kadri Prishtina”, “Gjimnazi i Specializuar Matematikor, “7 shtatori”,” Sami Frashëri”, si dhe pozita për zv.drejtorë në shkollat “Hoxhë Kadri Prishtina” dhe “Gjin Gazulli”.

BIRN i ka monitoruar intervistat që janë mbajtur me datë 30 nëntor 2022 për drejtor të Shkollës “Sami Frashëri”. Pesë kandidatë i janë nënshtruar intervistimit për drejtor të këtij institucioni. 

BIRN ka gjetur se pjesa kryesore e një procesi të rekrutimit – poentimi i kandidatëve të intervistuar, është bërë në mënyrë jo-transparente. Përkundër kërkesës së monitorueses së BIRN, dy anëtarë të Komisionit Vlerësues kanë refuzuar të tregojnë me sa pikë i kanë poentuar kandidatët në secilën përgjigje që kanë dhënë. 

Si rrjedhojë, ka pamundësuar vlerësimin nga ana e monitoruesve nëse vlerësimi nga ana e komisionit është kryer në mënyrë objektive.

Kjo mënyrë e jotransperencë bjen në kundërshtim me praktikat e BDO-së. Përkundër asaj që, Komuna e Prishtinës, e ka hapur konkursin për drejtorë të shkollave të mesme duke tentuar të ndjekë praktikat që aplikohen në konkurset që zhvillohet me asistencë të BDO-së. 

Pas kësaj faze, kryetari Përparim Rama ka mbajtur një takim me shoqërinë civile që kanë monitoruar procesin, në të cilin BIRN ka prezantuar gjetjet.

Raporti i BIRN-it është diskutuar edhe gjatë mbledhjes së kuvendit komunal që është mbajtur më 28 dhjetor 2022.

Rama, në mbledhjen e kuvendit komunal u zotua se në fazat e tjera të rekrutimit, procesi do të jetë transparent.

“E kemi shty procesin për me qenë super transparent. Ka qenë pikërisht KALLXO.com që ka thënë se ka mungu transparenca në disa pika. Pikërisht për këtë arsyeje e kemi rishqyrtu procesin, jemi taku, e kemi pa që ligjërisht procesi mundet me shku përpara dhe kemi vendos që me shku përpara. Ska kurrfarë qasje politike” – tha Rama. 

Zgjedhja e anëtarit të ri të Komisionit Vlerësues 

Dje, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar për ta zëvendësuar një anëtar të komisionit për përzgjedhjen e zëvendësdrejtorëve dhe drejtorëve të shkollave të Prishtinës.

Arbene Aliu, anëtarja e Komisionit në këtë proces rekrutimi është zëvendësuar me Fitnete Tutulli. Aliu ka marrë pjesë si kryesuese në komisionin vlerësues në procesin e zgjedhjes së drejtorit të gjimnazit “Sami Frashëri”.

Të dyja janë nga stafi i Drejtorisë së Arsimit.

“Personi që po zëvendësohet është nga DKA-ja, Arbene Aliu, po zëvendësohet me Fitnete Tutulli. Arsyeja e vetme është për shkak se Arbenja për arsyeje shëndetësore ka dhënë dorëheqje nga komisioni”- ka thënë drejtoresha e Arsimit, Besiane Musmurati gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal që u mbajt më 28 dhjetor 2022.

Pas një zvarritje të gjatë me ushtrues detyre, shkollat e Prishtinës janë në fazën e përzgjedhjes së drejtorëve.

Konkursi i shpallur me 2 nëntor 2022, për drejtor/e të shkollës “Hoxhë Kadri Prishtina”, “Gjimnazi i Specializuar Matematikor”, “7 Shtatori” dhe për zëvendësdrejtor/e të shkollës “”Hoxhë Kadri Prishtina” dhe për shkollën “Gjin Gazulli” është anuluar nën arsyetimin se kandidatët nuk kanë përmbushur kriteret për këto pozita.