Gjilani u shpërndan farë misri 402 fermerëve për mbjelljet pranverore

Komuna e Gjilanit gjatë ditës së djeshme, në kuadër të projektit të rregullt për mbjelljet pranverore, ka nisur shpërndarjen e 800 thasëve me farë misri për 402 fermerë që të mbjellin një sipërfaqe prej 400 hektarëve.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunë e Gjilanit, Ramiz Ramadani ka thënë se fokus ka qenë mbështetja e fermerëve, të cilët nuk kanë arritur të përzgjidhen nga Ministria në grantet e tyre.

“Po bëjmë maksimumin që sa më shumë tokë bujqësore të punohet dhe sa më shumë fermerë të mbështeten”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij, kryetari i komunës në vazhdimësi për çdo vit ka mbështetur të gjitha projektet në bujqësi dhe si rezultat, sot kanë 402 fermer, përfitues për mbjellje të misrit.

“Me këtë synohet që sa më shumë tokë bujqësore të punohet dhe sa më shumë ta mbështesim bujkun punëtor. Në kuadër të masave parandaluese të pandemisë, shpërndarja do të bëhet duke respektuar masat anti-covid-19. Kushtet klimatike janë optimale për mbjelljet pranverore dhe uroj që nisja e mbjelljes të jetë edhe mesazh pune por edhe mesazh jete në luftën kundër pandemisë globale”, ka thënë Ramadani.

Ai po ashtu ka paralajmëruar edhe subvencione të tjera në sektorin e blegtorisë, bletarisë, pemëtarisë, perimtarisë dhe në mekanizëm bujqësor.