Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Gjilani tre vjet pa inspektor sanitar

Për tre vite, Komuna e Gjilanit nuk ka pasur inspektor sanitar.

Këtë e ka konfirmuar Inspektori fito-sanitar i Komunës së Gjilanit, Isa Veliu.

Veliu këtë e ka thënë në tryezën e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë prezantimit të raportit të auditimit të performancës “Siguria e Ushqimit, rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit”.

Veliu tha se vetëm   para 3 muajve është emëruar një inspektor sanitar në Komunën e Gjilanit, i cili ka një kontratë 6 mujore.

Veliu ka shpjeguar se gjatë periudhës tre vjeçare  ai, si inspektor fito-sanitar dhe inspektorët veterinar janë autorizuar për të bërë inspektimet.

Më tej, Veliu ka folur edhe për sfidat në punën e inspektorëve, për të cilët ka thënë se nuk janë të angazhuar vetëm në pjesën e tyre profesionale për edhe në punë të tjera shtesë.

“Gjilani qe tri vite nuk kemi inspektorë sanitar por me autorizime janë kry 4 lloje të inspektimeve. Në Komunën e Gjilanit, inspektorët janë të kyçur në shumë detyra të tjera prandaj nuk pyetet dhe nuk është veç pjesa komunale. Nga ky auditim kemi mësuar. Ndoshta nuk kemi mujtë me tregu se çka kemi punu. Me planin e ri në bazë të auditimit që ta harmonizojmë deri të bëhet integrimi, ta bëjmë një plan që mos të mbesin subjektet në periudha të caktuara pa u vizitu dhe pa u kontrollu për 3 ose 4 muaj”, ka deklaruar.

Veliu ka teguar se për momentin në Gjilan janë një inspektor fito-sanitar dhe një inspektor veterinar.

Subjekt i auditimit të ZKA-së ka qenë Komuna e Gjilanit dhe Mitrovicës përkatësisht Drejtoritë e Inspektoratit komunal. Por në tryezën e organizuar nga ZKA, kanë marrë pjesë vetëm përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit ndërsa nuk kanë qenë prezent ata të Komunës së Vushtrrisë.

Në raportin e auditimit të performancës të vitit 2019 për sigurinë e ushqimit, të realizuar nga Zyra Kombëtare Auditimit thuhet se nëpër komuna funksionon tregu i kafshëve dhe tregu i gjelbër apo ato që ofrojnë ushqim të ndryshëm që nuk janë të licencuara.

Sipas zyrtarëve të AUV, tregjet e kafshëve në vend nuk i plotësojnë kriteret e parapara për tregje por as nuk kontrollohen nga inspektorët e AUV apo ata komunal.

Më poshtë gjeni disa nga shkrimet e KALLXO.com në lidhje me raportin “Rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit”.

Auditori ngritë dyshime për cilësinë e mishit që konsumojmë

ZKA: Inspektorët në pikën kufitare në Prizren kanë marrë vetëm një mostër nga mishi i ngrirë

ZKA: Në Mitrovicë u bënë vetëm tri kontrolle të miellit gjatë vitit

ZKA: Në treg vazhdon të ketë produkte përmbajtja e të cilave nuk tregohet