Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Gjilani ri-destinon 1.4 milion euro të planifikuara për paga në investime kapitale

Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në një seancë të jashtëzakonshme, ka miratuar transferin e mjeteve financiare nga kategoria e shpenzimeve në investime kapitale.

Ilmi Limoni, zyrtar i lartë për financa, tha se këto mjete ka qenë të ndara të fondi i rezervave, për t’u derdhur në fond për paga, por Gjykata Kushtetuese e ka anuluar ligjin për paga dhe janë ri-destinuar në investime kapitale.

“Këto mjete, në planifikimin fillestar, kanë qenë të ndara te kodi i rezervave, me qëllim që të derdheshin në fondin për paga, por siç dihet Gjykata Kushtetuese e ka anuluar ligjin për paga, prandaj me rishikim është lejuar që këto mjete të ri-destinohen te investimet kapitale në komuna,” ka thënë Limoni.

Këshilltarët komunalë, me 20 vota për dhe 5 kundër e kanë miratuar transferin, por opozita, LVV dhe një pjesë e PDK-së patën vërejtje te mënyra e shpërndarjes së këtyre mjeteve, duke thënë se është dashur të orientohen në arsim, shëndetësi dhe mirëqenie sociale, duke marrë parasysh edhe gjendjen e pandemisë dhe jo në kulturë, rrugë të rendit të tretë e të tjera.

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës tha se këto mjete janë ndarë në pajtim të plotë me të gjithë drejtorët komunalë, kryesisht me ata që kanë pasur më shumë nevojë për përmbushjen e planeve të tyre, meqë disa projekte kanë ngelur mbrapa si pasojë e pandemisë.

Ismajli gjithashtu ka shtuar se Komuna këtë vit nuk ka mundur të ndihmojë klubet sportive dhe OJQ-të edhe pse janë kritikuar nga opozita.

“Nuk kemi mundur ta bëjmë thirrjen publike për shkak të mjeteve financiare dhe tani kemi menduar që një pjesë e këtyre mjeteve të destinohen për kulturë, rini dhe sport dhe ju bëjë thirrje klubeve, shoqatave dhe OJQ-ve që të aplikojnë për subvencione deri më 17 shtator, kur mbyllet afati”, tha Ismajli.

Sipas njoftimit të Komunës, pjesa tjetër më e madhe e kësaj shume do të shkojë te shërbimet publike, në disa projekte të infrastrukturës nëntokësore, për t`i kryer disa obligime.

Duke u ndërlidhur me vërejtjet e opozitës për shpërndarjen e mjeteve, Shpresa Kurteshi-Emni, kryesuese e seancës ka thënë se në rend dite është transferi i një shume të caktuar të mjeteve financiare dhe jo planifikimi buxhetor për vitin 2021. Në debatin për transferin e mjeteve financiare, që ishte pikë e vetme e kësaj seance, kontribuuan Avdyl Aliu, Nevzad Isufi, Riza Abdyli, Mimoza Kadriu, Arta Nuhiu, Shemsedin Ramushi, Ibish Ibishi, Krenare Latifi, Shefik Surdulli, Arijeta Rexhepi, Isa Agushi, Fitim Guda, Arianit Sadiku, Shemsedin Elezi dhe të tjerë.