Gjilani pritet të izolohet, detaje për të prekurit me coronavirus

Pak para mesnatës, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka treguar se numri i të prekurve me coronavirus është rritur në 31.

Nga rastet e konfirmuara dy nga ta sipas IKSHP-së janë nga Gjilani.

KALLXO.com ka kontaktuar me Nënkryetarin e  Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli i cili ka treguar se njëri rast është nga Gjilani ndërsa tjetri nga fshati Vrapçiq i po kësaj komune.

“36 vjeçarja është nga fshati Vrapçiq, e martuar në Ferizaj dhe jeton në Gjermani, e njëjta para dy javësh ka ardhur në Kosovë. Rasti i dytë është djal i ri nga Gjilani i cili ka qenë vetizoluar prej kohës kur ka filluar të përhapet epidemia në Kosovë”, tha Ismajli.

Ekipet mobile të QKMF kanë dalë në terren menjëherë dhe janë duke punuar për të kuptuar se si kanë arritur të prekurit të infektohen me coronavirus.

Nënkryetari Ismajli konfirmoi se Komuna e Gjilanit do të izolohet.

KALLXO.com raportoi se pas dy rasteve të konfirmuara me coronavirus në Komunën e Gjilanit, ka bërë që të mblidhet urgjentisht shtabi i komunës për të biseduar në lidhje me masat që duhet të ndërmerren tani e tutje.

Sipas njoftimit të IKSHP-së një 20 vjeçar dhe një 36 vjeçare nga Gjilani kanë rezultuar pozitiv me coronavirus.

Deri më tani 31 raste janë konfirmuar pozitiv me coronavirus.