Gjilani planifikon mësim online pas mbylljes së shkollave nga coronavirusi

Komuna e Gjilanit do të fillojë mësimin online, pas mbylljes së shkollave për shkak të coronavirusit.

Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan ka shpërndarë ueb-aplikacionin për mësim elektronik në 17 shkolla të komunës, si fazë e parë e zbatimit të këtij projekti.

Sipas një njoftimi për media, drejtori i Arsimit në këtë komunë, Nazim Gagica, ka kërkuar nga mësimdhënësit që në afat sa më të shpejtë kohor të furnizojnë me të dhëna nxënësit, në mënyrë që t’iu mundësohet mësimi nga distanca, në kohën kur është ndërprerë mësimi në shkolla.

“Duke respektuar strukturat drejtuese të IP dhe duke falënderuar secilin mësimëdhënës veç e veç për gatishmërinë e treguar për të ofruar mbështetje në kohë #Covid-19, për nxënësit tanë të cilët janë objektivi ynë final i përbashkët, andaj, kërkojmë nga ju që në një afat të shpejtë kohor të furnizoni me të dhëna sistemin sipas niveleve dhe lëndëve përkatëse në mënyrë që nxënësve t’iu mundësohet marrja e informatave sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Gagica.

Ky është ueb-aplikacioni i Gjilanit për mësim elektronik – www.mesojmengashtepia.com

Deri më tani, Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit nuk ka filluar me planin për zhvillimin e mësimit online.

Në fillim të muajit mars, Qeveria e Kosovës mori vendim që ti mbyllë shkollat deri me datën 27 mars për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit COVID-19.

Ditë më vonë, qeveria shpalli gjendje emergjente në vend ndërsa sot numri i të infektuarve me këtë virus ka shkuar në 15.