Gjilani përgatitet për vaksinim masiv kundër COVID-19

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se i kanë bërë të gjitha përgatitjet që nga java e ardhshme në këtë komunë të fillojnë me vaksinim masiv kundër COVID-19.

Në emër të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, Haziri ka bërë të ditur se deri tani në Gjilan janë vaksinuar 2,846 qytetarë, përfshirë edhe punëtorët shëndetësorë.

Komuna e Gjilanit ka bërë të ditur se që nga fillimi i pandemisë në këtë komunë nga 21,480 mostra, 6,424 kanë rezultuar pozitivë, 6,263 janë shëruar, 146 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 20 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 5 persona, dhe 42 mostra në pritje për rezultat.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se që nga mesi i muajit qershor do të nisë vaksinimi i qytetarëve, pas arritjes së marrëveshjes për blerjen e vaksinave “Pfizer”.