Spitali Regjional i Gjilanit Foto: KALLXO.com

Gjilani me 192 raste aktive me COVID-19

Komuna e Gjilanit sot regjistroi 27 raste të reja me coronavirus. Numri total i rasteve aktive me coronavirus në Gjilan sipas Drejtorit të Shëndetësisë Selami Xhemajli, është 192.

Xhemajli gjithashtu tregoi edhe se të gjithë nxënësit të cilët kanë qenë të infektuar me coronavirus në shkollën fillore “Selami Hallaqi” janë shëruar.

“Me rezultatet e fundit, kemi 192 raste aktive me COVID-19. Shkollat të gjitha janë duke punuar me skenarin A. Nuk kemi ndonjë ndryshim në këtë pjesë. Çka mund të them është se të gjithë nxënësit të cilët kanë qenë të infektuar në shkollën “Selami Hallaqi” e cila është konsideruar vatër e infeksionit tani më janë shëruar ndërsa mësimdhënësit janë zëvendësuar”, tha Xhemajli për KALLXO.com.

Në lidhje me planin e trajtimit të të prekurve me COVID—19 në Komunën e Gjilanit, Drejtori Xhemajli thotë se janë duke e menaxhuar mirë ndërsa të prekurit disa janë vendosur në QKUK e ka edhe pacientë që marrin trajtim në Spitalin Rajonal të Gjilanit.

Në anën tjetër KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Drejtorin e Spitalit Rajonal të Gjilanit, Nisret Hajrullahu.

I njëjti i ka thënë KALLXO.com se janë gjithsej 24 pacientë me coronavirus të cilët po marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Gjilanit.

Tre nga pacientët janë me asistencë me ventilator të oksigjenit, por gjendja e tyre sipas drejtorit është stabile.

Hajrullahu gjithashtu tha se në rast të numrit të shtuar duhet të bëhet edhe një plan i ri.

“Kemi edhe planin B. Duhet të shikohet saktësisht si të veprohet kemi edhe një ndërtesë e cila mund të përdoret në rast të shtimit të numrit të pacientëve por kjo e gjitha bazohet në bazë të kërkesave të cilat janë dhe do të jenë në të ardhmen”, tha Hajrullahu.

Në Kosovë sot janë shënuar 418 raste aktive me COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se, brenda 24 orëve janë raportuar katër raste të vdekjes me coronavirus (1 rast Klinika e Kardiologjisë, QKUK, 1 rast Mjekimi Intenziv Qendror, QKUK, 1 rast Klinika e Pulmologjisë, QKUK dhe 1 rast Spitali i Përgjithshëm Prizren).