Gjilani me 10 zjarrfikës vullnetarë që paguhen përgjysmë më pak se kolegët e rregullt

Qendra e zjarrfikësve në Gjilan është duke e vuajtur që disa vite nga mungesa e zjarrfikësve.

Pothuajse si secili qytet tjetër i Kosovës, edhe Gjilani ka mungesë të madhe të numrit të zjarrfikësve.

Për shkak të kësaj, para më shumë se 10 viteve, Komuna e Gjilanit kishte lidhur marrëveshje me Shoqatën e zjarrfikësve vullnetarë dhe kishte marrë në punë 10 zjarrfikës vullnetarë.

Këta zjarrfikës vullnetarë i kanë të gjitha trajnimet e nevojshme, derisa puna e tyre në terren nuk ndryshon aspak prej zjarrfikësve të rregullt.

Mirëpo këta 10 zjarrfikës vullnetarë janë të pabarabartë me të tjerët, për shkak të pagës mujore që marrin.

Derisa një zjarrfikës i rregullt merr diku rreth 600 euro, varësisht nga orët e kujdestarisë, ndërsa zjarrfikësit vullnetarë marrin 260 euro.

“Na jemi të shkelur në paga. Jemi të pabarabartë, ndërsa punën e kryejmë njëjtë. Jemi këtu që ma shumë se 10 vite. Jemi ankuar gjithkund, por s’na është bërë zgjidhje”, thotë Halim Sejdiu, njëri nga zjarrfikësit vullnetarë.

“Kontratat tona vazhdohen çdo tre muaj. Përveç që kemi stres ne, stres kanë edhe familjet tona. Na s’mundemi as kredi me marrë me këto kontrata që na vazhdohen çdo tre muaj”, rrëfen tutje Sejdiu.

Se punën e kryen njëjtë sikur zjarrfikësit e rregullt e thotë edhe komandanti i tyre.

Komandanti i zjarrfikësve në Gjilan, Rabit Murseli e ka konfirmuar që tash e 10 vite këta zjarrfikëse vullnetarë punojnë aty.

Sipas tij, ata janë shumë të nevojshëm, pasi që edhe ashtu kanë numër të vogël të zjarrfikësve.

Këta 10 vullnetarë  janë duke kërkuar që të punësohen me kontrata të rregullta dhe të paguhen njëjtë si zjarrfikësit e tjerë.

“Ne i dimë hallet e kërkesat e tyre, mirëpo kjo është çështje e AME-së dhe Komunës. Ligji thotë se kriter është mosha nën 30 vjet”, thotë komandanti Murseli.

Zjarrfikësit vullnetarë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të hyjnë në grevë.

“Në rast se hyjnë në grevë, do të kemi probleme”, thotë komandanti i zjarrfikësve në Gjilan.